Meta- Merk, forcim të bashkëpunimit me landin e Bavarisë
Zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve në rajonin e Ballkanit do të kontribuonte në rënien e fenomenit të azilkërkuesve nga Shqipëria. Gjatë takimit me ministren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Rajonale të Landit të Bavarisë Dr. Beate Merk, kreu i Kuvendit Ilir Meta u ndal dhe tek çështja e azilkërkimit.
Z. Meta vuri në dukje se Shqipëria është vend i origjinës së sigurtë dhe se më shumë duhet bërë për konkretizimin e iniciativave të punësimit të ligjshëm në Gjermani. Ndërsa përsa i përket azilkërkuesve nga rajone të tjera në luftë, kreu i Kuvendit tha se Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përkrah Gjermanisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Meta dhe Merk diskutuan mbi mundësitë e shkëmbimit të ekspertizës në fushën e arsimit profesional, si një prioritet për të rinjtë shqiptarë ku Bavaria gëzon kapacitete tepër të avancuara. Znj. Merk shprehu vullnetin për konkretizimin e bashkëpunimit arsimor dhe ekonomik me Shqipërinë.