Meta-Muller:Reforma në drejtësi me rëndësi në përballjen me sfidat ekonomike
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të mërkurën zv/Presidentin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller.
Duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për histori suksesi dhe për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, Meta vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore në të gjitha aspektet zhvillimore social-ekonomike të vendit, ndërsa u shpreh gatishmëria për të mirëpritur asistencën teknike të Bankës në drejtim të përforcimit administrativ dhe rritjes së kapaciteteve zbatuese në vend.
Zv. Presidenti i BB për Evropën dhe Azinë Qendrore, Muller vlerësoi progresin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit dhe vuri në dukje se avancimi me axhendën e reformave madhore, veçanërisht asaj të sistemit të drejtësisë, është i rëndësishëm për përballjen me sfidat ekonomike, të cilat prekin jo vetëm rajonin, por të gjithë hapësirën evropiane.
Kryetari i Kuvendit, pasi vlerësoi kontributin e shkëlqyer të Komisionit të Venecias dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë si Euralius dhe Opdat, shprehu vendosmërinë për përmbylljen e fazës përfundimtare të miratimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese për avancimin e reformës së sistemit të drejtësisë, si kyçe edhe për rritjen e besueshmërisë së klimës së biznesit për investitorët e huaj.
Në përfundim, Meta dhe Muller diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë bindjen se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik kërkon një përqasje rajonale dhe në këtë drejtim u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë dhe përkushtimi i Kuvendit të Shqipërisë në të gjitha platformat rajonale.
Zv/Presidenti Muller shoqërohej në këtë takim nga Ellen Goldstein, Drejtoreshë Rajonale për Vendet e Evropës Juglindore dhe Tahseen Sayed, Përfaqësuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.