Meta ngre gotat me Sorecën e Ramën: Integrimi, detyrë e politikës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm sonte në pritjen e dhënë nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca në Pallatin e Brigadave me rastin e “Ditës së Europës”.
Në fjalën e Tij drejtuar të ftuarve e të pranishmëve të shumtë, Presidenti i Republikës theksoi se Integrimi Europian, është një mundësi e jashtëzakonshme për të realizuar përfundimisht ëndrrën e studentëve të Dhjetorit ‘90 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Ai tha sei takon politikës dhe udhëheqësve që ta ndihmojmë vendin të ecë më shpejt drejt çeljes së negociatave dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në këtë festë të organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian. Ashtu sikurse ishte një kënaqësi që sot të fillonim Festën e Europës duke pasur në Tiranë shumë përfaqësues të lartë të BE-së, të vendeve të rajonit, pikërisht në vendin që 30 vjet më parë ishte vendi më i izoluar dhe më i harruar i Europës. Një paradoks ky për arsye, sepse Shqipëria ishte viktima e parë e nazifashizmit në Europë.
Dhe e theksoj këtë për të nënvizuar kontributin e rëndësishëm që vendi ynë dha për çlirimin e popujve të Europës, duke filluar nga vetja, por edhe përtej Shqipërisë në mënyrë që të vinte 9 maji. Duke u rreshtuar në anën e duhur të historisë, por edhe duke u ndeshur me një fatkeqësi të madhe sikurse ishte më pas rënia nën regjimin më të izoluar të kontinentit.
Tani jemi në një moment të jashtëzakonshëm. Shqipëria është një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit të rajonit dhe është një vend që e ka përqafuar fuqimisht mesazhin e 9 majit, për bashkimin në emër të paqes, për të lënë pas konfliktet, luftërat, për të lënë pas shtypjen dhe persekutimin, dhe për t’ju përkushtuar këtij projekti kaq përfshirës, kaq njerëzor, kaq universal për të cilin Ballkani ka nevojë si asnjë rajon tjetër.
Shpresojmë që edhe mesazhet që do të vijnë nga Samiti i Sibiut, nga Këshilli Europian, por edhe nga Samiti i Poznanit në vijim të procesit të Berlinit, të jenë në këtë drejtim.
Dua të falënderoj Ambasadorin Soreca për vëmendjen që u kushton të rinjve. “Fuqia e rinisë” mendoj se është mesazhi i duhur, ashtu sikurse edhe në Samitin e Poznanit përsëri tema kryesore do të jenë rinia dhe edukimi në rajonin tonë, ku do të përqendrohet vet BE-ja dhe ku duhet të përqendrohemi të gjithë edhe më shumë.
Unë besoj se ky është një projekt i garantuar dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të realizuar përfundimisht ëndrrën e studentëve të dhjetorit për ta bërë Shqipërinë plotësisht si gjithë Europa.
Dua të përmend një thënie që e kam shumë për zemër, të njërit prej themeluesve të Europës, Konrad Adenauer, i cili thoshte ‘të gjithë jetojmë nën të njëjtin qiell, por nuk e shohim të njëjtin horizont’.
Është detyra e drejtuesve dhe udhëheqësve që jo vetëm ta shohim, sepse të gjithë forcat politike dhe e gjithë shoqëria jonë është e përcaktuar për realizimin e këtij projekti madhor, por edhe të gjithë ta ndihmojmë vendin të ecë më shpejt drejt çeljes së negociatave dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gëzuar Ditën e Europës!”