Meta: Tryezë politike, pas përfundimit të draftit nga ekspertët
Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk ka përjashtuar mundësinë e një tryeze politike, kërkesë kjo e demokratëve dhe vetë ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. Por z. Meta këmbëngul se aktualisht puna është ende në tryezën e ekspertëve.
“Nuk dua të hyj në teknikalitete që nuk më takojnë. Jemi në nivelin ku grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar ta përfundojë draftin e rishikuar mbi frymën e rekomandimeve të Venecias e më pas do të ecim dhe drejt atij procesi politik e parlamentar që është i domosdoshëm për të finalizuar këto ndryshime. Nuk bëhet fjalë për t’iu larguar tryezave politike, po ekspertët e opozitës të vazhdojnë punën. Çdo përpjekej për konensus arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke u larguar nga tavolina”, tha kreu i Kuvendit.
Meta ftoi opozitën që t’i rikthehet tryezës së ekspertëve për reformën në drejtësi, teksa tha se mendimi ndryshe do të diskutohet në komisionin e përbashkët parlamentar.
“Do t’u bëja thirrje që të mos bojkotojnë për një çështje të caktuar këtë punë kaq të rëndësishme sepse koha nuk pret, dhe të përfshihen deri në fund. Çdo mendim tjetër më pas, alternativ, ta diskutojmë në komisionin e përbashkët parlametar për reformën në drejtësi. Besoj që është bërë një punë e jashtëzakonshme, mbetet ende për t’u bërë dhe në këtë drejtim jemi fatlum sepse e kemi një platformë të përbashkët dhe është fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, u shpreh Meta.
Një ditë më parë kreu i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim rreth 3 orë me ambasadorin amerikan Donald Lu.