Mexhiti: Dhjetëra provime profesionale mund të jepen edhe në gjuhën shqipe
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka njoftuar se dhjetëra provime profesionale nga sot do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, ndërsa BDI-ja përgjigjet se ligji për përdorimin e gjuhëve e ka garantuar gjithmonë këtë të drejtë dhe pyet pse e njëjta gjë të mos vlejë edhe për provimin e jurisprudencës.
Dhjetëra provime profesionale nga sot e tutje do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe. Kështu ka njoftuar, siç raporton Alsat, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, sipas të cilit përbërja aktuale qeveritare ka trashëguar zgjidhje parciale dhe çështje të hapura, ndërsa provimet profesionale deri më tani kanë qenë 100% vetëm në gjuhën maqedonase.
“Provimi për revizor, auditor të autorizuar shtetëror sot mbahet në gjuhën shqipe. Provimet për agjentët e sigurimeve të cilat licencohen nga MAPAS. Provimi profesional për ekspert për vlerësim të ndikimit të projekteve ndaj ambientit jetësor, për ekspert për vlerësimin strategjik të ambientit jetësor, për drejtor të institucioneve parashkollore, për edukatorë, punëtorë dhe kujdestarë të institucioneve parashkollore, provimi për mjekët, stomatologët, motrat medicinale. Për herë të parë në kuadër të Ministrisë së Kulturës është themeluar njësia për përkthim dhe lektorim”, deklaroi Mexhiti.
Nga BDI-ja, ndërkaq, përgjigjen se Mexhiti në fakt ka pranuar atë që kjo parti e ka theksuar vazhdimisht: ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe mundëson dhënien e provimeve profesionale në shqip. Por nga BDI-ja shtrojnë pyetjen: nëse kjo mund të bëhet për të gjitha provimet, pse të mos praktikohet edhe për provimin e jurisprudencës? “Sot u dëshmua edhe një herë se gjuha shqipe ka bazë të qartë ligjore dhe kushtetuese për këtë të drejtë. Problemi nuk është te mungesa e ligjit, por te mungesa e vullnetit dhe kapacitetit të kësaj garniture qeverisëse. Ligji ekziston, ligji e garanton të drejtën dhe ai obligon. Detyra e qeverisë dhe institucioneve është që ta zbatojnë ligjin. Nëse nuk e zbatoni, do të keni përgjegjësi juridike dhe kombëtare”, deklaruan nga BDI-ja.
Sa i përket provimit të jurisprudencës dhe pjesës së tij praktike, institucionet janë arsyetuar se kjo pjesë bazohet në lëndë dhe dokumente reale gjyqësore, të cilat kryesisht përpilohen dhe administrohen në gjuhën maqedonase. Për momentin, propozim-zgjidhja për provimin e jurisprudencës është dërguar për mendim te Komisioni i Venecias dhe pritet përgjigja, ndërsa përfaqësues të Komisionit do të vijnë në Shkup më 26 dhe 27 nëntor për takime me Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësues të shumicës parlamentare dhe të opozitës, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Gjyqësor, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës, Avokatin e Popullit, dekanë dhe përfaqësues të studentëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.