Policia vazhdon me kontrolle, ndalohen 10 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit
MPB njofton se gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend janë privuar nga liria 10 persona për drejtim të pakujdesshëm të automjetit: tetë vozisnin pa e dhënë provimin e vozitjes, ndërsa dy të tjerë kishin ndalim aktiv për drejtimin e automjetit.
Policia ka vazhduar me kontrollet në komunikacion, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme në vend janë privuar nga liria 10 persona për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal, siç njofton Alsat duke iu referuar MPB-së.
Prej tyre, tetë persona drejtonin automjete pa e dhënë provimin e vozitjes: E.SH. (20), B.B. (29), D.P. (18), E.M. (31), R.J. (25) dhe J.Q. (40), të gjithë nga Shkupi, si dhe B.K. (61) nga Kërçova dhe I.Ç. (36) nga Prilepi.
Ndërkaq, dy persona të tjerë kanë vozitur ndonëse kishin ndalim aktiv për drejtimin e automjetit: E.D. (27) dhe B.E. (27), të dy nga Shkupi.
“Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të ngrihen kallëzime përkatëse penale”, thonë nga MPB, duke u bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, të mos drejtojnë automjete pa e dhënë provimin e vozitjes, nëse u është shqiptuar masë ndalimi për drejtimin e automjetit ose nëse janë nën ndikimin e alkoolit, në mënyrë që të kontribuojnë të gjithë së bashku për siguri më të madhe në rrugë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.