Mickoski për TV21: Marrëveshje me Sofjen vetëm me marrëdhënie partneriteti — me “bullying” nuk ka
Kryeministri thotë se Maqedonia e Veriut nuk do të hyjë në një proces eurointegrimi pa fund të qartë dhe si shembull të kushteve të reja të mundshme përmend Planin e Veprimit për pakicat.
Marrëveshje me Sofjen është e mundur vetëm nëse mes dy vendeve ka marrëdhënie partneriteti dhe gatishmëri për dialog, ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për TV21, siç njofton MKInformer. Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk do të hyjë në një proces pa perspektivë të qartë për përfundimin e tij.
Mickoski theksoi se, pavarësisht mungesës së përparimit konkret pas bisedimeve të fundit me palën bullgare, mundësia për zgjidhje ekziston. “Nëse kemi marrëdhënie partneriteti, është e mundur. Nëse vazhdohet me ‘bullying’, me qëndrimin ‘ne jemi brenda, ju jeni jashtë’, atëherë nuk ka marrëveshje”, tha ai, sipas raportimit të MKInformer-it.
Kryeministri vlerësoi se çështjet historike nuk duhet të vendosen vazhdimisht si kusht në procesin e integrimit europian, pasi dy vendet kanë interpretime të ndryshme për pjesë të historisë. Qeveria, tha ai, do ta nisë procesin thelbësor negociator, por jo “me çdo kusht” dhe jo me lëshime të reja pa sigurinë se procesi ka një fund të qartë.
Ai kujtoi se dialogu i drejtpërdrejtë me Sofjen nisi pas sugjerimit të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas çka ministri Timço Mucunski inicioi takimin me homologen e tij bullgare në Sofje, në margjinat e një ngjarjeje për Korridorin 8. “Mirë është që e nisëm; pres që ky dialog të vazhdojë”, u shpreh Mickoski.
Si shembull të kushteve të reja të mundshme, kryeministri përmendi Planin e Veprimit për pakicat: dokumenti, sipas tij, është harmonizuar me një ekspert të propozuar nga Komisioni Europian, 26 vende anëtare nuk kanë pasur vërejtje, ndërsa një shtet ka pasur kundërshtime. “Edhe nëse nesër e ndryshojmë Kushtetutën, sërish do të ketë një dokument tjetër për të cilin do të duhet të merremi vesh me fqinjin”, paralajmëroi ai.
Ndërkohë, Mickoski tha se Qeveria vazhdon paralelisht agjendën e reformave dhe detyrimet nga Plani i Rritjes, duke iu referuar vlerësimit të Fon der Lajenit për përparimin mbresëlënës në reforma gjatë vizitës së saj në Shkup në fillim të tetorit. Ai përmendi edhe integrimin gradual në BE si mundësi, por nuk dha garanci se vendi do të hapë një klaster negociator deri në fund të mandatit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.