Mijëra protestues për Ditën e al-Quds, pavarësisht luftës
Mijëra mbështetës të qeverisë iraniane dolën sot në rrugët e Teheranit – për të marrë pjesë në protesta kundër Izraelit, edhe pse sulmet ajrore vazhdojnë në vend.
Protesta u zhvillua me rastin e Ditës së al-Quds, një ngjarje që u vendos nga udhëheqësi revolucionar Ruhollah Khomeini, në vitin 1979.
Protestat, të organizuara nga shteti, synojnë të kundërshtojnë Izraelin dhe kërkojnë “çlirimin e Jeruzalemit”. Al-Quds është emri arab për Jeruzalemin.
Kjo ditë lidhet edhe me pushtimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli gjatë Luftës gjashtëditore në vitin 1967.
Demonstrata vjetore në mbështetje të të drejtave të palestinezëve mbahet tradicionalisht të premten e fundit të muajit të shenjtë islamik të Ramazanit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian u bëri thirrje qytetarëve të merrnin pjesë në protesta, pavarësisht luftës.
Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se populli iranian duhej t’i zhgënjente armiqtë e Iranit duke dalë në rrugë në numër më të madh se kurrë.
Dëshmitarë okularë thanë se pjesëmarrja ishte më e ulët se në vitet e kaluara.
Sipas tyre, kjo ndodhi sepse shumë banorë janë larguar nga Teherani që pas nisjes së luftës, ndërsa të tjerë kishin frikë nga sulme të mundshme me dron gjatë protestës.
Protestuesit mbanin flamuj iranianë dhe brohorisnin slogane kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Media shtetërore publikoi pamje të njerëzve që mbanin portrete të udhëheqësve revolucionarë të vrarë.
Gjatë protestave, në qendër të qytetit u dëgjua edhe një shpërthim i fortë.
Agjencia e lajmeve “Fars” publikoi një video ku shfaqeshin persona që godasin arkivole të mbuluara me flamujt e SHBA-së dhe Izraelit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.