Milatoviq u takua me Trumpin dhe e ftoi të vizitojë Malin e Zi
Presidenti malazez Jakov Milatoviq bëri të ditur se është takuar me presidentin amerikan Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe e ka ftuar të vizitojë Malin e Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, bëri të ditur se në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka pasur mundësinë të takohet me presidentin amerikan Donald Trump, siç njofton televizioni publik malazez RTCG.
Milatoviq i ka propozuar presidentit amerikan një vizitë në Malin e Zi, duke e ftuar atë të luajë edhe një lojë golfi me pamje nga një prej gjirëve më të bukura të Evropës, njofton po RTCG.
«Në qershor ne në Malin e Zi pritëm liderët evropianë, të cilët nuk e fshehën entuziazmin për bukuritë e vendit tonë. Vizita e presidentit Trump do të kishte një rëndësi të veçantë dhe do të ishte historike, pasi ai do të ishte presidenti i parë amerikan që viziton Malin e Zi. Besoj se ardhja e tij do të ishte edhe një mundësi tjetër për të treguar më të mirën që Mali i Zi ka, por edhe për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës», tha Milatoviq.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s, ndërsa një vizitë e Trumpit në Podgoricë do të ishte historike — do të ishte hera e parë që një president amerikan, në detyrë apo ish-president, viziton Malin e Zi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.