Spekulime: Mali i Zi mund të anëtarësohet në BE pa të drejtën e vetos
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi në Podgoricë se Brukseli po përgatit "hartën rrugore" dhe mekanizma mbrojtës për anëtarët e rinj — që sipas spekulimeve mund të nënkuptojnë heqjen dorë nga e drejta e vetos për një periudhë dhjetëvjeçare.
PODGORICË – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi të enjten mbrëma në Podgoricë se Brukseli po përgatit një “hartë rrugore” për kandidatët më të përparuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe mekanizma mbrojtës për anëtarët e rinj – detaje që, sipas spekulimeve, mund të nënkuptojnë edhe heqjen dorë nga e drejta e vetos, siç njofton portali malazez Vijesti.
Spekulohet se Komisioni mund t’i ofrojë Malit të Zi anëtarësimin pa të drejtën e vetos për një periudhë dhjetëvjeçare. Von der Leyen nuk dha detaje, por u shpreh se mekanizmat mbrojtës do të ekzistojnë dhe se miratimi i tyre do të kërkojë pajtimin e të gjithë anëtarëve të BE-së.
Sipas raportimit të Reuters-it të ditës së mërkurë, Komisioni po shqyrton një “angazhim të përkohshëm politik”, sipas të cilit anëtari i ri do të deklaronte se për një periudhë të kufizuar nuk do t’i kundërshtonte vendimet që merren me konsensus. Po ashtu, një klauzolë mbrojtëse do t’u lejonte anëtarëve ekzistues të pezullojnë të drejtat e anëtarit të ri, përfshirë edhe të drejtën e votës, me një shumicë të kualifikuar prej 15 nga 27 shtetet që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së Unionit. Traktatet e reja të anëtarësimit mund të përfshijnë edhe masa mbrojtëse të kufizuara në kohë në fusha si lëvizja e lirë e punëtorëve dhe bujqësia.
Portali Politico raportoi të hënën se për Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë po shqyrtohen “harta rrugore” që përcaktojnë qartë çfarë pritet nga secili kandidat, por krijojnë edhe detyrime për anëtarët ekzistues të BE-së. Von der Leyen tha se beson që Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Unionit deri në vitin 2028 – me 18 nga 33 kapituj tashmë të mbyllur – dhe se anëtarësimi është “në dorë”, duke dërguar një mesazh të fortë edhe për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja e Komisionit komentoi edhe krizën politike në Podgoricë, ku Demokratët malazezë (DPS) kanë nisur iniciativën për shkarkimin e kreut të Kuvendit, Andrija Mandiq. Ajo theksoi se nevojitet mbështetja e gjerë e të gjitha partive dhe se fokusi duhet të mbetet te rruga drejt BE-së. Nga ana e tij, kryeministri Milojko Spajiq deklaroi: “Pothuajse kemi arritur në fund të rrugës, pse të bëjmë diçka që e vonon? Jam optimist se nuk ka arsye të mos e çojmë deri në fund dhe të hyjmë në BE.”
Gjithashtu, u diskutuan edhe mosmarrëveshjet me Kroacinë – për anijen “Jadran”, dëmshpërblimet për të burgosurit e Morinit, personat e zhdukur dhe pishinën në Kotor – pas bllokimit kroat të kapitullit 31 në janar 2025 dhe kapitullit 14 në korrik. Ministri kroat i Jashtëm, Gordan Grlić Radman, tha se “Jadran” nuk është e vetmja pronë që kërkon Zagrebi, duke shtuar se Kroacia ka dokumentacion për pronësi me vlerë mbi 2.7 miliardë dollarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.