Ministeriali i BE-së për krizën e refugjatëve, Bushati: Shqipëria, plan emergjence
Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese, si dhe nevojat në rast se vendi ynë preket nga kriza e refugjatëve. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe zv. Ministrja e Brendshmë, Elona Gjebera, kanë marrë pjesë në ministerialin e BE-së mbi krizën e refugjatëve.
“Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se prekemi nga ky fenomen”, është shprehur z. Bushati.
Kriza e refugjatëve, vijoi më tej ministri shqiptar, është një ndërthyrje krizash, asaj humanitare dhe asaj financiare, dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar se i kanë qëndruar besnik vlerave evropiane.
“Kjo është një krize që ka në vetvete kriza të ndërlidhura, një krizë humanitare në det dhe në tokë që mbart me vete dhe rreziqe për çështje të sigurisë, si dhe një krize financiare me të cilën duhet të përballen vendet e prekura nga vala e refugjatëve. Kjo ndërthurje krizash sfidon aftësitë reaguese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si vende tranziti, por pavarësisht dyndjeve në kufijtë e tyre, vendet e rajonit kanë dëshmuar gjatë kësaj krize se i kanë qëndruar me besnikëri vlerave evropiane”, është shprehur Bushati.
Ministeriali i BE-së për krizën e refugjatëve u zhvillua në Luksemburg, me ftesë të Jean Asselborn, Ministër i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Emigracionit dhe Azilit i Luksemburgut, dhe znj. Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe Sigurisë.
Në fund të takimit, Ministrat miratuan me unanimitet deklaratën që përcjell vullnetin e përbashkët të vendeve të BE-së, Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Libanit dhe Jordanisë për përballimin e sfidave të përbashkëta të krizës emigratore si partnere, duke iu përgjigjur me solidaritet nevojës për një bashkëpunim konkret dhe kthimin e përgjegjësisë kolektive në veprime kolektive.
Respektimi i detyrimeve ndërkombëtare dhe i të drejtave të njeriut në dhënien e ndihmës dhe mbrojtjes ndërkombëtare për refugjatët, forcimi i sigurisë nëpërmjet menaxhimit efikas të kufijve dhe lufta kundër krimit të organizuar si dhe mbështetja e komuniteteve pritëse dhe vendeve të tranzitit përbëjnë shtyllat kryesore te bashkëpunimit të dakordësuara ne këtë deklaratë.