Ministri Ahmetaj: Reforma që lehtësojnë klimen e biznesit
Kuvendi shqyrtoi të enjten në seancë plenare projektligjin “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Shqyrtimi i p/ligjit u shoqërua me debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës për klimen e biznesit në vend.
Fillimisht kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi ndërmarrjen e reformave rregullatore për përmirësimin e klimës së biznesit në vend, që siç u shpreh ai, është përkeqësuar ndjeshëm.
“Ne duhet të shtrojmë pyetjen se a ka garancitë e nevojshme biznesi në vend për të vazhduar veprimtarinë e tij. Liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik nuk janë të lidhura me shfaqjen që jep qeveria, ajo ka të bëjë me një reformë të plot rregullatore”, deklaroi Mediu.
Sipas tij, të gjthë treguesit ekonomik në vend janë përkeqësuar. “Borxhi i ri për biznesin ka shkuar 72 %, konsumi ka rënë, pagat reale janë ulur me 6 %, është rritur varfëria ekstreme, është rritur niveli i papunësisë me 3 %. Shumë familje kanë dalë nga skemat ekonomike. Biznesi i huaj po kërkon tregje të reja më ë sigurta për të investuar në rajon dhe jo në Shqipëri”, tha më tej Mediu. Kreu i PR-së theksoi se përmbytjet dhe fatkeqësitë e ndodhur kohët e fundit do të ndikojnë në rritjen e varfërsis, ndaj ai ftoi palët të ulen dhe të diskutojnë për vlerësimin total të dëmit pas përmbytjeve.
Por, Ministri i Zhvilimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj tha se qeveria ka ndërmarrë reforma shtyllë në përmirësimin e klimës së biznesit në tatim taksa, makroekonomi, pensione, reformen territoriale të materializuara në indeksin e besimit të sipërmarres, etj. Ndërsa ftoi opozitën të kontribuonte me propozime konkrete për indikatorët e raportit “Doing biznes”, raport ky prestigjoz që tregoi se jemi në vendin e 108 me në përmirësim prej 40 vende. Kjo, tha ai është hera e parë, por jo e rastësishme dhe ka të bëjë drejtpërsëdrejti me reformat që ka ndërmarrë qeveria.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozites për rënie të investimeve të huaja në vend, ministri Ahmetaj tha se investimet e huaja direkte në vitin 2014 llogariten 1 miliard dollarë, ndërsa për herë të parë në vend janë importuar makineri dhe pajisje 1.1 miliard dollarë, që futen brenda 6 muajsh në prodhim. “Vetëm në botën tuaj një biznes i trembur mund të investojë 1 miliard dollarë dhe jo një biznes që beson te reformat e qeverisë”, deklaroi Ahmetaj.
Ai akuzoi po ashtu opoziten që deri dje ishte në qeverisje për rëndim të biznesit përmes gjobave. “Ishin 300 milionë dollarë gjoba elektorale mbi biznesin. U kujtoj qytetarëve se tatim fitimi në vit është 150 milionë dollarë. Dyfishi i tatim fitimit të një viti ishte gobë mbi kurrizin e sipërmarrjes”, deklaroi ministri. Ai shtoi se qeveria i ka paguar te gjitha detyrimet e prapambetura biznesit, duke permiresuar ndjeshem likuiditetin e tij.
Kreu i MZHETS-s, Ahmetaj informoi se gjatë diskutimit me përfaqësuesit e Bankës Botërore për programin e partneritet, kusht ishin reformat që do të fokusohen në të gjitha ato pengesa që has biznesi me administratën, por jo vetëm. “Ne jemi angazhuar për marrjen e të gjitha atyre reformave për reduktimin e të gjitha barrierave për të arritur një rritje prej 4.5 % në fund të mandatit”, u shpreh ministri.
Ndryshimet që pëson ligji “Për Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit” do të lehtësojnë biznesin në raport me administratën tatimore. Aktualisht, një biznesi zyrtarisht i duhet 6 muaj kohë për të çrregjistruar aktivitetin, por realisht kjo procedurë zgjat edhe me vite. Synimi i projektligjit është të ofrojë një kuadër ligjor bashkëkohor, të qartë dhe të përditësuar, në përputhje të plotë me direktivat e BE-së për shoqëritë tregtare.
Objektivat që kërkon të arrijë janë zbatimi i legjislacionit të BE-së për shoqëritë tregtare dhe përmbushja e kërkesave të MSA-së, si dhe kërkesave të tjera që burojnë nga zhvillimi ndërkombëtar në këtë fushë. Shqyrtimi i projektligjit do të vijojë sërish në mbledhjen e radhës.