Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Poposki sot realizoi takim me ambasadorin Johannes Haindl, përfaqësues personal i ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, dhe me ambasadoren gjermane në Shkup, Christine Althauzer.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) potencohet se ambasadori Haindl informoi për mandatin e tij dhe pritjet nga angazhimi në Republikën e Maqedonisë.
Më tej thuhet se në takimin janë ndarë pritjet se përpjekjet për tejkalimin e krizës politike në shtet mbeten të fokusuara në përmbushjen e reformave me të cilat do të mbahet rekomandimi për zhvillimin e negociatave aderuese me BE-në, të cilin Maqedonia për herë të parë e fitoi nga Komisioni Evropian në vitin 2009.
Në njoftim thuhet se “ministri Poposki shprehu falënderim për mbështetjen tradicionale të cilën Gjermania, si anëtare e BE-së, ia jep Maqedonisë në shumë sfera, përfshirë edhe mbështetjen bilaterale përmes ambasadës gjermane në Shkup, si dhe angazhimin e tanishëm diplomatik të ambasadorit Haindl. Njëherit, ministri theksoi rëndësinë që kriza politike të tejkalohet përmes zgjidhjeve të cilat mbështeten vetëm nga institucionet e Maqedonisë, krerët politikë dhe para se gjithash qytetarët e Republikës së Maqedonisë, vullneti i të cilëve shprehet në zgjedhje”.
Bashkëfolësit potencuan interesin e Maqedonisë dhe atë evropian për tejkalimin e krizës rrjedhëse dhe përkushtimin në reformat të cilat do të sigurojnë përparim dhe largpamësi, në vend dhe në rajon, që është veçmas me rëndësi edhe për Gjermaninë.
Më herët i dërguari i posaçëm Haindl, përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës gjermane tha se “zhvillimet gjatë ditëve të fundit sërish qartazi tregojnë se koha është e shkurtër dhe tani nevojitet angazhim i përbashkët nga të gjitha partitë politike që të zbatohen reformat e nevojshme dhe me vendosmëri të vazhdohet rruga”.
Ai në Shkup do të qëndrojë dy ditë, me ç’rast përveç takimit me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Poposki, ai do të zhvillojë bisedime edhe me shefin e delegacionit të BE-së dhe ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, si dhe me ambasadorët e vendeve të BE-së në vend.
Haindl poashtu do të takohet edhe me katër liderët e partive politike nënshkruese të marrëveshjes politike.
Në pamundësi që liderët politik të gjejnë zgjidhje për shumë çështje që kanë të bëjnë me reformat, Haindl në Shkup vjen me mision për të zhbllokuar krizën politike që ka kapluar vendin.