Ministria e Jashtme serbe: “Udhëzimi studentor” për votimin jashtë vendit është aktivitet keqdashës
Afati për aplikim mbyllet më 3 tetor në mesnatë; diplomacia serbe thotë se po punon me kapacitet të plotë dhe mohon pengesat
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë njoftoi mbrëmjen e së enjtes se i ashtuquajturi “udhëzim studentor” që po qarkullon në rrjetet sociale për votimin jashtë vendit përfaqëson një “aktivitet keqdashës”, me qëllim ushtrimin e “presionit politik të përditshëm” gjatë fushatës zgjedhore, siç raporton gazeta serbe Danas.
Sipas komunikatës së ministrisë, për të realizuar të drejtën e votës jashtë Serbisë, qytetari serb që qëndron përkohësisht jashtë vendit duhet të ketë adresë të rregullt banimi në Serbi, të jetë i regjistruar në Regjistrin e Përbashkët Zgjedhor dhe të paraqesë kërkesë përmes përfaqësisë diplomatiko-konsullore më të afërt. Pas kësaj, ambasada apo konsullata e përcjell kërkesën në mënyrë elektronike te administrata komunale përkatëse, e autorizuar për vendimmarrje.
Afati për dorëzimin e aplikimeve për votim jashtë vendit është 3 tetori në mesnatë, sipas orës së Beogradit, thekson ministria — por ky afat nuk vlen për lëshimin e vendimeve, pasi përpunimi kërkon kohë. Vendimin për ndryshimin e vendvotimit e merr administrata komunale apo e qytetit, pasi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të ketë vendosur për hapjen e vendvotimeve jashtë vendit.
Diplomacia serbe thotë se rrjeti diplomatiko-konsullor po punon çdo ditë me kapacitet të plotë për t’i përpunuar të gjitha kërkesat — numri i vendimeve të lëshuara është dy herë më i madh se në ciklin e kaluar zgjedhor — dhe se “nuk ka vend për përhapjen e historive të pavërteta për pengesa të supozuara”. Komunikata mbyllet me një qortim të ashpër: ata që do ta vinin “të gjithë popullin në ignore”, do të bënin mirë të mësonin një nga parimet më të vjetra të sistemit juridik — “mosnjohja e ligjit dëmton”.
Reagimi i ministrisë vjen në një moment kur diaspora serbe ka thyer rekordin e regjistrimeve — 73.000 qytetarë janë regjistruar për të votuar jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, pothuajse dyfishi i ciklit të kaluar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.