Ekonomia

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, së shpejti paketa mbështetëse për industrinë plastike

Pas nisjes së paketës mbështetëse për manifakturën, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, do të shpallë së afërmi paketën e re për industrinë e plastikës, ku operojnë 209 biznese.
Burime zyrtare të MZHETTS-së bëjnë të ditur se hartimi i paketave të tilla po mbështet sektorët e industrisë fason, bujqësia dhe së shpejti, turizmi dhe plastika, pasi efektet përfituese nga këto mbështetje janë të dukshme në rritjen e dukshme të eksporteve.
Sipas burimeve, me mbështetjen e industrisë së fasonit, po hidhen hapa pozitive në zhvillimin e industrisë me cikël të mbyllur në industrinë tekstile dhe prodhimit të këpucëve. Vetëm në 6 muajt e fundit ka gati 2 mijë të punësuar të rinj në industrinë e përpunimit të lëkurëve dhe prodhimit të këpucëve.
Ministri i MZHETTS-së, Arbën Ahmetaj, është shprehur së fundi mbi shembullin shumë të mirë të funksionimit të paketës mbështetëse për industrinë. Sipas tij, “muaji maj ka qenë një muaj spektakolar përsa i përket eksporteve, jo vetëm të tekstileve dhe këpucëve, por eksporteve në përgjithësi”.
Sipas Ahmetajt, gjithcka lidhet me funksionin e modelit të ri ekonomik në 18 muajt e qeverisë Rama, ku është përmbysur struktura e eksporteve në favor të prodhimeve, të cilat afrojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe jo më siç ka qenë tradicionalisht nga nafta dhe produktet minerare.
Rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve nga ana tjetër, përbën një tregues për rritjen e zhvillimin e industrive të manifakturës, asaj mekanike, bujqësisë dhe për pasojë, të rritjes së punësimit dhe eksporteve.
Vjet, ministria e Zhvillimit Ekonomik nisi paketën mbështetëse për manifakturën, me 32 masa, nga të cilat 28 janë realizuar, duke treguar statistika të qarta të efektit pozitiv të saj me zhvillimin e industrisë.
Burimet e MZHETTS-së bëjnë të ditur se tashmë puna është përqëndruar në mbështetjen e dytë të programeve mbështetjes së industrisë së manifakturës, për të rritur llojashmërinë e produkteve “Made in Albania” me cikël të mbyllur, duke ju larguar industrisë me material porositësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button