Ministrja e Brendshme britanike, nën kritika për komentet për “pushtim” nga imigrantët
Ministrja e Brendshme e Britanisë u përball me kritika të martën për cilësimin e ardhjes së migrantëve përmes kanalit të Lamanshit me varka si “pushtim”, disa ditë pas një sulmi ndaj një qendre imigracioni.
Sekretarja e Brendshme Suella Braverman e bëri këtë cilësim ndërsa fliste në mbrojtje të kushteve në një qendër për të ardhurit e rinj, ku rreth 4,000 persona janë mbajtur në një ambjent me kapacitet për 1,600 vetë.
Zonja Braverman iu referua kalimeve me varka të vogla të hënën si “pushtimi i bregdetit tonë jugor” dhe tha se “imigrimi i paligjshëm është jashtë kontrollit”.
“Le të ndalojmë së pretenduari se ata janë të gjithë refugjatë në gjendje të vështirë, i gjithë vendi e di se kjo nuk është e vërtetë,” tha ajo.
Zëvendësi i saj, Ministri i Emigracionit Robert Jenrick, u distancua nga komentet e saj.
“Në një punë si e imja duhet t’i zgjedhësh me shumë kujdes fjalët,” i tha ai televizionit Sky News. “Dhe nuk do t’i demonizoja kurrë njerëzit që vijnë në këtë vend në kërkim të një jete më të mirë.”
Kryeministri Rishi Sunak, i cili emëroi zonjën Braverman pasi ai mori detyrën javën e kaluar, i tha kabinetit të tij të martën se Britania “do të jetë gjithmonë një vend zemërgjerë dhe mikpritës,” tha zëdhënësi i tij.
Sekretarja Braverman – një figurë kryesore në krahun e djathtë të Partisë Konservatore në pushtet që mbështet dëbimin e njerëzve që hyjnë në Britani pa autorizim – nuk iu përgjigj kritikave të martën.
Numri i azilkërkuesve që përpiqen të arrijnë në Britani me varka është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe sistemi për shqyrtimin e aplikimeve është ngadalësuar mes problemeve dhe ndryshimeve të shpeshta në qeverinë konservatore, e cila ka kryeministrin e tretë dhe sekretarin e tretë të brendshëm brenda këtij viti.
Në qendrën Manston duhet të strehohen rreth 1,500 emigrantë për më pak se 24 orë, por kjo shifër është mëse dyfishuar.
Grupet e refugjatëve thonë se disa njerëz kanë mbetur atje për javë të tëra. Disa familje po flenë në tenda dhe ka pasur raste difterie dhe zgjebeje.
Kryeinspektori i Burgjeve Charlie Taylor tha se kur vizitoi qendrën së fundmi, ai pa njerëz që flinin në dysheme dhe “shumë e shumë njerëz në një dhomë”.
Kritikët akuzojnë zonjën Braverman për përkeqësim të qëllimshëm të kushteve në Manston duke refuzuar të rezervojë dhoma hoteli për azilkërkuesit.
Qeveria tha se “një numër i madh” njerëzish po zhvendoseshin nga Manston të martën për të lehtësuar mbingarkesën dhe se një objekt rreth 32 kilometra larg në qytetin port të Doverit që u sulmua me bomba zjarri të dielën ishte rihapur.
Policia tha se oficerët e antiterrorizmit po drejtonin hetimin për shpërthimin jarr, i cili plagosi lehtë dy anëtarë të stafit. I dyshuari, një burrë 66-vjeçar nga një qytet rreth 160 kilometra larg, hodhi “një numër mjetesh ndezëse të papërpunuara” dhe më pas u largua me makinë dhe vrau veten.
Oficerët e antiterrorizmit thanë se sulmi “ka të ngjarë të jetë i nxitur nga pakënaqësi të nxitura nga urrejtja.”
Mbi 48,000 vetë aplikuan për azil në Britani në vitin 2021, më pak se në Gjermani, Francë ose Spanjë. Por ka pasur një rritje të madhe të numrit të njerëzve që përpiqen të kalojnë Kanalin me gomone dhe mjete të tjera të vogla.
Rreth 40,000 njerëz kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm deri më tani këtë vit, nga 28,000 në të gjithë vitin 2021 dhe 8,500 në vitin 2020. Dhjetra kanë vdekur, duke përfshirë 27 persona në nëntor 2021.
Britania dhe Franca kanë debatuar se si të ndalojnë bandat e kontrabandës së njerëzve që organizojnë udhëtimet.
Qeveria e Britanisë ka njoftuar një plan të diskutueshëm për të dërguar personat që mbërrijnë me varka të vogla në Ruanda – një plan që ajo thotë se do t’i pengojë njerëzit të kalojnë Kanalin. Kritikët thonë se plani është imoral dhe jopraktik dhe po kundërshtohet në gjykata.