Miratohet marrëveshja OSHEE-BERZH për 70 milionë euro. Çela: OSHEE përballoi kostot, nuk u rënduan qytetarët
Komisioni i Ligjeve miratoi sot marrëveshjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin me një vlerë prej 70 milionë eurosh për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia si dhe ndërtimin e një nënstacioni të ri në qendër të Tiranës.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja bëri të ditur se kjo hua vjen në një moment që lidhet edhe me situatën e vështirë ndërkombëtare të krijuar për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, në një fazë ku OSHEE, për shkak të deformimit sezonal për prodhimin e energjisë po përballon importe të larta për të siguruar furnizimin me energji.
“Kjo na bën të mundur të lëvizim më lirshëm në garantimin e furnizimit të energjisë“, deklaroi ai.
Ndërkohë, administratori i OSHEE-së, Ardian Çela bëri të ditur se 55 milionë euro të huas nga BERZH do të shkojnë për zbutjen e efekteve të pandemisë dhe 15 milionë euro për nënstacionin e ri në qendër të Tiranës që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të kësaj zone.
Ai u ndal edhe në situatën financiare të krijuar nga pandemia.
“Humbjet në 2020 për shkak të pandemisë ishin 4 miliardë lekë ndërkohë që u vu re një ulje e nivelit të arkëtimeve nga 97 në 93.4 %. Ndërkohë niveli i investimeve ra në 63 %”, tha Çela.
Çela tha se situata u vështirësua edhe për shkak të rritjes së konsumit nga konsumatori familjar me 4 %, i cili e paguan me 9.5 lekë për kilovat energjinë, nga 10.7 lekë që është çmimi mesatar.
“KESH për shkak të thatësirës nuk mundi të garantonte sasinë e nevojshme prej 4 terravat që duhet për të furnizuar shërbimin universal dhe OSHSH duhet të siguronte në tregun e lirë energjinë për të mbuluar nevojat. Kjo do të thotë se tarifa ndryshon dhe këtë kosto OSHEE e ka mbajtur vet. Kosto në 4 vite llogaritet 200 milionë euro”, tha Çela.
Sipas tij, BERZH duke analizuar situatën u ofrua me një kredi pa kushte disbursimi.
“Por kërkesa jonë ishte që kjo kredi të mos përdorej për likuidimin e energjisë, por edhe për ndërtimin e nënstacionit të qendrës së Tiranës me një teknologji të re të paimplementuar ndonjëherë. Nënstacioni do të jetë nëntokësor dhe do ti shërbejë zhvillimit të qendrës në 30 vitet e ardhshme. Përveç shumëfishimit të fuqisë së furnizimit me energji do të shërbejë edhe si balancues ngarkesash”, tha ai.
Më tej ai, Çela shtoi se mbështetja e BERZH-it u kërkua edhe si garanci për një prezencë më të lartë të kompanive me emër ndërkombëtare për të patur rezultat sa më të suksesshëm për realizimin e këtij projekti.
Administratori i OSHEE-së, Çela u ndal edhe në transparencën e procesit të blerjes së energjisë elektrike në treg.
“Që nga 2017 Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) ka implementuar platformën e ankandit, platforma më transparente që ekziston deri në momentin që do të jetë bursa aktive. Nga tri kompani që ishin të pranishme në treg, që kontrollonin 97 % të tregut dhe ku blerja e energjisë bëhej me zarf e takime në zyrë me negociata tek për tek, sot janë mbi 20 kompani të licencuara nga ERE dhe marrin pjesë edhe kompani të huaja. Kompanitë përmes kësaj platforme shikojnë në kohë reale ofertën dhe sasinë që kanë ofruar. FTL nuk ka ndikim”, tha ai.
I pyetur nga deputetët për nivelin e borxhit që institucionet buxhetore dhe jobuxhetore i kanë OSHEE-së, Çelaj tha se “borxhi në total është 20.3 miliardë lekë, nga të cilat 17 miliardë lekë janë borxh i ujësjellësve dhe jobuxhetorëve. Borxhi i ARMO-s llogaritet 2.4 miliardë lekë”.