MJEDIS – Nivelet e gazeve serrë arritën rekorde të reja në vitin 2025, duke nxitur ngrohjen globale
GJENEVÊ, 27 tetor /ATSH – AA/ – Përqendrimet e dioksidit të karbonit (CO2), metanit dhe oksidit të azotit në atmosferë arritën nivele rekord në vitin 2025, duke e bërë të pashmangshme ngrohjen e mëtejshme të planetit për dekadat dhe shekujt në vijim, paralajmëroi të hënën Organizata Botërore Meteorologjike (OBM).
Në Buletinin e saj të fundit për gazrat serrë, agjencia meteorologjike e OKB-së tha se përqendrimi mesatar global i CO2 arriti në 426,8 pjesë për milion, ekuivalente me 153 për qind të nivelit paraindustrial të vitit 1750, i cili shërben si pikë referimi.
“Edhe një vit tjetër, edhe një rekord i ri. Gazrat serrë po bllokojnë në atmosferë një sasi të paprecedentë të nxehtësisë, duke siguruar energji për dukuri ekstreme të motit dhe rreziqet që lidhen me to për ekonomitë dhe shoqëritë tona”, tha Ko Barrett, zëvendëssekretare e përgjithshme e OMM-së.
Ajo paralajmëroi se 11 vitet e fundit kanë qenë “më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë” dhe se pritet që prirja e ngrohjes të vazhdojë. “CO2 ka një jetëgjatësi shumë të madhe dhe për këtë arsye do të ndikojë në klimën globale jo vetëm për vite, por edhe për dekada e madje shekuj”, tha ajo.
Raporti zbuloi se ritmet vjetore të rritjes së CO2 janë trefishuar që nga vitet 1960, duke u rritur nga 0,8 në 2,4 pjesë për milion në vit gjatë periudhës 2011-2020. Mes viteve 2024 dhe 2025, përqendrimet u rritën me 2,8 pjesë për milion të tjera, pjesërisht për shkak të vazhdimit të djegies së lëndëve djegëse fosile.
Përqendrimi i metanit arriti në 1.948 pjesë për miliard, ose 267 për qind të nivelit paraindustrial, ndërsa oksidi i azotit u rrit në 339,1 pjesë për miliard, ekuivalente me 126 për qind të nivelit bazë të vitit 1750.
OBM-ja paralajmëroi se heksafluoruri i squfurit, i përdorur gjerësisht në shpërndarjen e energjisë elektrike, shënoi rritjen më të madhe vjetore në vitin 2025, pavarësisht se potenciali i tij për ngrohjen globale është rreth 24 mijë herë më i lartë se ai i CO2.
Gjetjet publikohen në prag të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, që do të organizohet nga Turqia dhe do të nisë më 9 nëntor, ku pritet që qeveritë të diskutojnë mënyrat për t’i shndërruar angazhimet klimatike në veprime konkrete.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.