“Po djegin atë që kemi ndërtuar”- Ish-deputeti demokrat Spaho: Dhuna në protesta, qasje primitive gjoja për ndërtimin
Ish-deputeti i PD, Edmond Spaho mendon se dhuna dhe shkatërrimi në protestat e fundit në Tiranë janë qasje primitive.
Në një intervistë për Report TV, ai e veçon dhunën si një element që karakterizon popujt primitivë.
“Në Shqipëri, dhuna po kthehet në një element qenësor. Ne po djegim atë që kemi ndërtuar në emër gjoja të ndërtimit të së ardhmes. Me shkatërrim e djegie vetëm popujt primitivë e ndërtojnë të ardhmen. Pjesa më e shëndoshë e kësaj lëvizjeje duhet të distancohet që të tërheqë vëmendjen dhe dashamirësinë e qytetarëve”, thotë Spaho.
Sipas ish-deputetit, veç Antifa-s, brenda protestave të dhunshme gëlojnë një sërë rrymash të të gjitha ‘ngjyrave.’
“Aty ka shumë rryma, duke filluar nga lëvizja që doli për zhvillimet në bregdetin e Vlorës, Flamingot, më pas janë grupi i OJQ-ve shqiptare, gjejmë islamistë, parti politike shqiptare të vjetra e të reja që kanë të njëjtën ngjyrë. Operojnë me të njëjtin stil, me forcë në vend që të ekspozojnë natyrën e tyre”, përfundon ish-deputeti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.