Mogherini- Hahn: MSA-ja, moment historik për marrëdhëniet BE-Kosovë
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, që hyri sot në fuqi, krijon një raport kontraktues i cili vë të drejta dhe detyrime të dyanshme dhe mbulon një numër të gjerë sektorësh.
Në një komunikatë për media të Komisionit Evropian ku citohet përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn thuhet se ajo do të mbështesë implementimin e reformave dhe do t’i japë Kosovës mundësi për të lëvizur më afër Evropës.
“Kjo marrëveshje hap një fazë të re në marrëdhëniet BE-Kosovë dhe paraqet një kontribut të rëndësishëm për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi. Unë pres zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, thekson Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendës-Kryetarja Federica Mogherini me rastin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje.
Komisioneri Johannes Hahn shprehet se “kjo marrëveshje është një moment historik për marrëdhëniet BE-Kosovë: ajo do të ndihmojë Kosovën në rrugën e reformave dhe do të krijojë mundësi për tregti dhe investim. Pres me padurim vizitën time të ardhshme në Prishtinë për të shënuar këtë moment të rëndësishëm dhe për t’u shpjeguar bizneseve kosovare, investitorëve dhe publikut të gjerë të mirat që mund të sjellë ajo në drejtim të rritjes ekonomike dhe punësimit “.
MSA-ja fokusohet në respektimin e parimeve demokratike kryesore dhe elementeve kryesore që janë thelbi i tregut të vetëm të BE-së. MSA-ja do të krijojë një zonë që mundëson tregti të lirë dhe zbatim të standardeve evropiane në fusha të tjera, të tilla si konkurrenca, ndihma e shtetit dhe prona intelektuale. Dispozitat e tjera mbulojnë dialogun politik, bashkëpunimin në një numër të madh sektorësh, duke filluar nga arsimi dhe punësimi deri te energjia, mjedisi, drejtësia dhee punët e brendshme.
MSA-ja është nënshkruar më 27 tetor 2015 nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Nën-Kryetarja e Komisionit Evropian, dhe Johannes Hahn, Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, për Bashkimin Evropian, ndërsa për Kosovën MSA-ja është nënshkruar nga Kryeministri, Isa Mustafa, dhe Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
MSA-ja është negociuar në periudhën tetor 2013 dhe maj 2014, është nënshkruar më 22 tetor 2015 dhe zyrtarisht marrëveshja është arritur më 12 shkurt 2016.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë progresin e Kosovës të shënuar drejt rrugës së saj evropiane përmes procesit të Stabilizim Asociimit, politikën e disejnuar nga BE për të rritur bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe bashkëpunimin rajonal. Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit janë një komponentë kryesore e këtij procesi. Për të mbështetur reformat e nevojshme, BE-ja vë në dispozicion asistencën para pranimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në vlerë prej 11.7 miliardë euro gjatë periudhës 2014-2020, prej të cilave 645.5 milionë euro alokohen për Kosovën.