Kosova pëson sërish nga Italia në futsall, gjithçka vendoset ndaj Gjeorgjisë
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbjen e dytë radhazi nga Italia, në kuadër të Grupit 10 të raundit kryesor kualifikues për Kupën e Botës 2028, siç njofton Telegrafi. Pas disfatës dramatike 4-3 në Prishtinë, Dardanët janë mposhtur edhe në ndeshjen e kthimit në Itali, me rezultat 3-0.
Ndeshja e zhvilluar në Barletta ishte përballja e tretë e Kosovës në këtë fazë kualifikuese. Golashënues për Italinë ishin Gabriel Motta (14’23”), Antonio Molaro (16’10”) dhe Maurizio Silvestri (39’30”).
Kësaj radhe, përfaqësuesja e Kosovës nuk arriti të përsëriste paraqitjen e mirë të ndeshjes së parë, kur, përkundër disavantazhit prej tri golash, ishte rikthyer në lojë dhe kishte barazuar rezultatin në 3-3, para se Italia të shënonte golin e fitores në fund.
Humbja në Itali bën që Kosova të mbetet me tri pikë në Grupin 10, të fituara në ndeshjen hapëse ndaj Gjeorgjisë, të cilën e kishte mposhtur me rezultat 3-2 në udhëtim. Ndërkohë, Italia ka konfirmuar epërsinë në grup, duke marrë pikët e plota në dy përballjet direkte me Kosovën.
Për Kosovën, sfida e fundit e kësaj faze do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Më 24 shkurt 2027, Dardanët do ta presin Gjeorgjinë në ndeshjen që mund të përcaktojë pozitën përfundimtare në grup dhe mundësinë e vazhdimit të rrugëtimit drejt Kupës së Botës. Objektivi i Kosovës është të sigurojë pozitën e dytë dhe të mbetet në garë përmes fazës së play-off-it. Sipas formatit të kualifikimeve, fituesit e 12 grupeve dhe katër ekipet më të mira të vendeve të dyta kalojnë drejtpërdrejt në fazën Elite, ndërsa tetë përfaqësueset e tjera që përfundojnë në vendin e dytë do të luajnë në play-off.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.