Monitorimi nga ajri/ GD: 99.8% e bimëve narkotike është shkatërruar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka deklaruar sot se janë asgjësuar mbi 2 milionë bimë narkotike në kuadër të monitorimit të Guardia di Finanzia, e cila publikoi raportin e drogës në përmbyllje të misionit të fluturimeve mbi territorin e Shqipërisë.
Sipas Çakos, këtë vit është vënë re një tendecë e re, sic është ajo e kultivimit të një bime kanabisi me cikël më të shkurtër 18- 45 ditëshe, e njohur ndryshe si bima vietnameze, e cila u konstatua në 70% të territorit të kultivuar me kanabis.
“Gjatë aksionit është evidentuar një bimë narkotike me cikël të shkurtër që rritet nga 18 deri në 45 ditë. Ajo ka zënë 70% të territorit të kultivuar por me efektshmëri të prodhimit më të ulët. Bima vitnameze rezulton të jetë prezente në 70% të plantacioneve të kultivuara. Verifikimi në terren dhe nga ajri i këtyre bimëve bëri të mundur asgjësimin e mbi 2 mijë bimëve narkotike”.
Çako nënvizoi ndër të tjera se nga monitorimi është bërë hartëzimi i gjithë territorit dhe zonave me risk. “Në lidhje me ketë vlerësoj maksimalisht forcat e personelin e Guardia di Financa që ishin prezentë. Është konstatuar një rritje e numrit të fluturimeve dhe është eksploruar një pjesë e territorit që më herët nuk ishte e mundur. Në partneritet me Italinë është ndërhyrë në 99,8% të parcelave ku kishim të dhëna”.
Policia: U asgjësuan 2.4 mln bimë, rreth 460 mijë u prishën në kubikë
Në vitin 2016 Policia e Shtetit ka asgjësuar mbi 2.409.206 bimë narkotike të zbuluara e të asgjësuara, prej të cilave 463.000 kubikë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe janë kryer 1592 procedime penale të nisura, prej këtyre 400 autorë të identifikuar dhe 248 të arrestuar. Numërohen gjithsej 1260 operacione policie.
Po ashtu forcat e angazhuara në këto operacione janë angazhuar 8.900 forca policie të angazhuara me 2.630 mjete. Kostoja e këtij operacioni është mbi 520 mln lekë.
Policia konfirmoi se janë mbledhur më shumë se 4700 informacione operative dhe në 225 raste informacionet operative janë shkëmbyer me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët.
Guardia di Finanza: 99.8% e bimëve narkotike është shkatërruar
Guardia di Finanza konfirmon se 99.8% e sipërfaqes së fotografuar me bimë narkotike në Shqipëri është shkatërruar.
Statistikat vijnë nga partneri i Policisë Shqiptare, sipas të cilit për vitin 2016 parcelat e identifikuara me bimë narkotike në vendin tonë kanë qenë 2.086. Prej tyre, plot 2082 janë asgjësuar.
Nga 42 misione fluturimi, në dy fluturimet e fundit të kryera me qëllim konfirmimin e asgjësimit të bimëve narkotike, Guardia di Finanza konfirmon gjithashtu se bimët e evidentuara kanë qenë 0 (zero)
Fara 45-ditore e Kanabisit prodhon më shpejt por më pak
Fara e Kanabisit të kultivuar së fundmi në Shqipëri prodhon më shpejt por më pak. Përveç sasisë së bimëve të identifikuara një vëzhgim i takon llojit të farës së përdorur të Kanabisit.
Në Shqipëri, të trembur nga aksionet e vazhdueshme të Policisë, janë rritur rastet e kultivuesve që kanë mbjellë një variant fare Kanabis 45-ditore, e cila prodhon 7-8 herë më pak se ajo normale. Pra edhe pse në shifra numri i bimëve kanabis mund të jetë i lartë, prodhimtaria e shpejtë e farës 45-ditore është më e vogël.
Policia Italiane publikoi sot të dhënat mbi luftën kundër kultivimit të narkotikëve në Shqipëri, aplikuar fushave të agrikulturës, pyjeve, hidrologjisë dhe planifikimit urban, përmes platforms Decision Support System të integruar me Geo-Data-Base të Benecon.
Në vijim të monitorimeve ajrore të pesëvjeçarit të fundit, për të njëjtën sipërfaqe tokësore të monitoruar dhe orë fluturimi teknologjia e përdorur ka qenë gjithnjë më e lartë. Konfiguracioni i platformës arrin një risoluzion shumë të lartë spektral, gjeometrik dhe fotografik, përmes së cilës mund të përpunohen të dhëna objektive dhe shkencërisht të verifikueshme në çdo moment.
Sipas raportit të Policisë Italiane për periudhën 2012-2016, vetëm për këtë vit parcelat e raportuara me kanabis në vendin tonë kanë qenë 2086, shtrirë në një sipërfaqe prej 213,4 hektarësh. Prej saj, plot 99.8% është shkatërruar nga Policia Shqiptare, referon Guardia di Finanza.