“Mos e demonizoni”, producenti i “It Ends With Us” del në mbrojtje të Blake Lively

Producenti i filmit “It Ends With Us”, Jamey Heath, ka bërë një deklaratë të papritur lidhur me polemikat që përfshinë Blake Lively dhe Justin Baldoni, duke u kërkuar njerëzve të mos e demonizojnë aktoren, pavarësisht përplasjes së tyre të bujshme ligjore.
Heath u shfaq në premierën në Los Angeles të një dokumentari që trajton konfliktin mes Blake Lively dhe Justin Baldoni. Gjatë kësaj ngjarjeje, ai reagoi edhe ndaj sjelljes së disa prej të pranishmëve, të cilët kishin duartrokitur në momentet kur aktorja përballej me vështirësi gjatë shfaqjes.
“Ne mund të kërkojmë drejtësi pa poshtëruar njerëzit që kanë guximin të flasin”, ishte mesazhi që përcolli producenti, duke kundërshtuar mënyrën se si një pjesë e publikut ka reaguar ndaj Lively-t.
Ai theksoi se njerëzit nuk duhet ta demonizojnë aktoren dhe se është e mundur të kërkohet përgjegjësi për veprimet e dikujt pa e kthyer atë në objekt sulmesh dhe poshtërimi publik.
Megjithatë, Heath nuk ndryshoi qëndrimin e tij lidhur me akuzat e ngritura nga Lively. Ai këmbënguli se as vetë dhe as Justin Baldoni nuk kanë kryer veprimet për të cilat i akuzoi aktorja, përfshirë ngacmimin seksual dhe organizimin e një fushate hakmarrëse për të dëmtuar imazhin e saj.
Producenti shprehu gjithashtu shpresën që Blake Lively të arrijë të shërohet nga gjithçka që ka kaluar, duke lënë të kuptohet se ajo po vuan nga kjo situatë.
Kujtojmë se në fund të vitit 2024, Blake Lively ngriti një padi ndaj Justin Baldonit, Jamey Heath dhe kompanisë Wayfarer Studios, duke i akuzuar për ngacmim seksual dhe një fushatë të organizuar për të dëmtuar reputacionin e saj pas përplasjeve gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”.
Pas një beteje të gjatë ligjore, Heath arriti një marrëveshje me aktoren në maj të këtij viti, duke shmangur përballjen në gjykatë. Edhe Lively dhe Baldoni e kanë cilësuar marrëveshjen e tyre si një fitore.
Ndërkohë, Justin Baldoni nuk ishte i pranishëm në premierën e dokumentarit, ndërsa përplasja mes tij dhe aktores vazhdon të mbetet një nga çështjet më të komentuara në Hollywood.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.