Mariah Carey shqetëson fansat me performancën e saj: “Diçka nuk shkon”

Këngëtarja Mariah Carey ka shkaktuar shqetësim te fansat pas performancës së saj në koncertin hapës të turneut “Christmas Time”, në São Paulo të Brazilit.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë këngëtaren duke lëvizur me vështirësi dhe në mënyrë të ngurtë gjatë interpretimit të këngës “Fantasy”.
Gjatë performancës, Carey u mbështet te valltarët e saj, të cilët e ndihmuan të lëvizte në skenë dhe të realizonte disa nga lëvizjet koreografike.
Pamjet shkaktuan reagime të shumta nga fansat, të cilët shprehën shqetësimin për gjendjen e saj fizike. Disa prej tyre sugjeruan që këngëtarja të pushonte, ndërsa të tjerë e kritikuan performancën, duke e cilësuar si robotike dhe pa energji.
“Është e trishtueshme. Pusho ose tërhiqu dhe përqendrohu te vetja”, shkroi një komentues.
Një tjetër u shpreh se diçka nuk dukej në rregull me këngëtaren, ndërsa disa fansa kërkuan që ajo të mos vazhdonte të performonte nëse nuk ndihej mirë.
Shqetësimi vjen vetëm pak ditë pasi Carey u filmua në Brazil duke ecur e mbështetur në krahun e një asistenteje, teksa përshëndeste fansat jashtë hotelit ku qëndronte.
Deri më tani, këngëtarja nuk ka reaguar ndaj komenteve dhe spekulimeve për gjendjen e saj shëndetësore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.