“Mos u habisni!”, Balla: Anëtarësimi në BE mund të ndodhë edhe para 2030-ës! Shqipëria model për të tjerët
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka folur në një deklaratë për mediat këtë të enjte, jashtë godinës së Parlamentit, lidhur me vizitën e tij tre-ditore në Gjermani.
Ai tha se nga Gjermania ai ka marrë vlerësime mbi procesin e Reformës në Drejtësi, madje sipas tij Shqipëria është propozuar si model për t’u ndjekur nga vendet e tjera aspirante.
Madje shtoi se “mos u habisni nëse integrimi ndodh para vitit 2030!”
“Të qëndrojmë tek momentumi shumë i mirë që ka të bëjë me rrugën europiane të Shqipërisë. Jemi në përmbyllje të një jave që BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës tek Komiteti i përfaqësuesve, nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale në shumë institucione shterore, nga gjithë ato djem edhe vajza të përfshirë në proces, që i kemi quajtur piketa të ndërmjetme.
Një prej grupkapitujve më të rëndësishëm, ai i Themeloreve, u identifikuan mbi 92 hendeqe, që duhen adresuar. Mos harrojmë se ‘Themeloret’ janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit por në rastin e Shqipërisë dua të citoj fjalë për fjalë vlerësimin që vjen nga Gjermania: ‘Shqipëria për reformën në Drejtësi, Vettingun, luftën ndaj korrupsionit… Reforma në drejtësi në Shqipëri është model për vendet e tjera që aspirojnë.
Kjo javë e rëndësishme përmbyllet nesër me Komitetin e Përfaësuesve dhe javën tjetër me Konferencën Ndërqeveritare. Palët politike duhet të kuptojnë këtë moment që lidhet me një qasje të re nga vendet anëtare të BE.”, tha Balla.
Më tej, ai shtoi se u është thënë nga Gjermania se do të ketë një komunikim zyrtar nga ana e kancelarit mbi mbështetjen e palëkundur, për ta mbyllur procesin e integrimit sa më parë bashkë me Moldavinë.
Ndërsa sa i takon propozimit për anëtarësimin gradual në BE, kjo nuk është në dëm të vendit.
“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje e cila të na garantojë edhe anëtarësimin me faza. Nuk na dëmton, s’ka të bëjë me ne. Do t’i përmbyllim të gjitha ambiciet tona.”, tha Balla.
Ai theksoi se “Topi nuk është më në krahun e vendeve aspirantë por në fushën e vendeve anëtare!”
Për të disatën herë, Balla theksoi se të gjitha vendet anëtare e rekomandojnë si shembull për vendet e tjera. Madje shtoi se shumë ekspertë moldavë janë instruktuar të vijnë në vendin tonë për të parë rezultatet nga afër.
“Sa i takon Moldavisë, ekspertët moldavë vijnë në Shqipëri në mënyrë të rregullt për të parë nga afër se si e bëmë ne vetingun e gjyqtarëve.”, tha Balla se kjo ishte “krenari për çdo shqiptar”.
“Nëse më 11 maj 2025 shqiptarët na votuan me shumicë për vizionin ‘Shqipëria 2030 në BE’, mos u habisni që shqipëria hapin e madh të anëtarësimit ta bëjë përpara 2030-ës.”
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.