MOSKË – Kremlini: Putin nuk i ka refuzuar kurrë bisedimet me Zelenskyn dhe do t’i përgjigjej thirrjes së tij
MOSKË, 2 nëntor /ATSH-AA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka refuzuar asnjëherë zhvillimin e bisedimeve me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe do t’i përgjigjej telefonatës së tij, tha të dielën këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yury Ushakov, në një intervistë të publikuar të dielën.
Duke folur për një gazetar të televizionit Vesti, Ushakov tha se lideri rus mbetet i hapur për komunikim të drejtpërdrejtë me homologun e tij ukrainas.
“Besoj se, sigurisht, ai do të përgjigjej. Putin nuk i ka refuzuar asnjëherë bisedimet”, tha Ushakov.
Ai gjithashtu tha se Zelensky është i mirëpritur të udhëtojë në Moskë për bisedime me Putinin.
“Ai po dërgon sinjale përmes burimeve të ndryshme. Ai dëshiron të bisedojë dhe, nëse dëshiron kaq shumë të bisedojë, le të vijë”, tha Ushakov.
– Kremlini propozon bisedime trepalëshe me SHBA-në dhe Ukrainën
Duke folur për negociatat që synojnë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, Ushakov tha se në raundet e para duhet të marrin pjesë Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja.
Ai sugjeroi që përfaqësuesit evropianë të mund të marrin pjesë në një fazë të mëvonshme, duke theksuar se takimet e para duhet të zhvillohen në formatin trepalësh.
“Ne kemi kontakte pune me amerikanët. Prandaj, sigurisht, është e logjikshme që të paktën raundet e para të bisedimeve të zhvillohen në formatin trepalësh”, tha ai.
– Samiti Rusi-Afrikë
Rreth një zhvillimi tjetër, Ushakov tha se ata që synonin të pengonin samitin Rusi-Afrikë kanë dështuar, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Samiti i tretë Rusi-Afrikë, i cili u mbajt për herë të parë në Moskë, përfundoi më 29 tetor.
Në këtë takim morën pjesë delegacione nga 48 vende afrikane, përfshirë 22 krerë shtetesh.
Samiti i mëparshëm u mbajt në Shën Petersburg në vitin 2023, ndërsa takimi i parë u zhvillua në Soçi në vitin 2019.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.