MOSKË – Kremlini vë në pikëpyetje rolin e Evropës në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë
MOSKË, 24 nëntor /ATSH-DPA/- Rusia nuk sheh ende një vlerë të shtuar nga pjesëmarrja e përfaqësuesve evropianë, në raundin e ardhshëm të bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov tha se takimi i ardhshëm mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të zhvillohet në Abu Dabi, por ende nuk është përcaktuar një datë, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
“Ka këndvështrime të ndryshme. Siç e dini, evropianët këmbëngulin që bisedimet të zhvillohen në një format katërpalësh. Ne ende nuk e kuptojmë plotësisht, se çfarë vlere të shtuar do të sillte pjesëmarrja e evropianëve dhe çfarë kontributi shtesë, mund të jepnin në përpjekjet për paqe”, tha Peskov.
Javën e kaluar, udhëheqja ruse deklaroi se përfaqësuesit evropianë duhet fillimisht, të paraqesin propozimet e tyre në Moskë.
Deri më tani, vendet evropiane janë përfshirë vetëm në mënyrë të tërthortë, në bisedimet për përfundimin e pushtimit rus, në shkallë të plotë të Ukrainës, përmes lidhjeve të tyre me Kievin dhe Uashingtonin.
Vendet evropiane kanë rënë dakord që Gjermania, Franca, Italia, Polonia dhe Britania e Madhe, e cila nuk është anëtare e BE-së, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel, të përfaqësojnë Evropën në këto bisedime. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.