Tirana ka vend edhe për rrugët, edhe për yjet
Nga Aida Hoxholli
Lorenc,
Shkrimi yt “Si mund të vriten shqiptarët?” më riktheu te një ide që hodha publikisht më 31 gusht 2025, kur flitej për shndërrimin e disa rrugëve të Bllokut në pedonale. Propozova që në to të vendoseshin yje me emrat e figurave që i kanë dhënë Shqipërisë art, dije, shëndet, krenari e dinjitet. Artistë, mjekë, intelektualë, sportistë, personalitete që kanë lënë gjurmë në jetën tonë dhe meritojnë një vend në kujtesën e qytetit.
Duke të lexuar, mendova se ajo ide mund të jetojë fare mirë edhe në trotuare. Rruga të mbetet për makinat, me hapësirën e nevojshme për qarkullimin dhe urgjencat; ndërsa trotuaret, të lira e të sigurta për këmbësorët, të bëhen edhe një shëtitore e kujtesës sonë.
Sepse një qytet duhet të të lejojë të mbërrish në destinacion, por edhe të të japë një arsye për të ndaluar.
Ti përshkruan një ambulancë që mezi çan trafikun. Përballë asaj sirene, çdo debat estetik duhet të nisë me një pyetje të thjeshtë: a kemi lënë hapësirë që ndihma të mbërrijë në kohë? Bukuria e një rruge merr kuptim kur ajo u shërben njerëzve. Kur banori hyn në shtëpi, kur këmbësori ecën i sigurt, kur biznesi furnizohet dhe kur ambulanca kalon.
Pikërisht brenda kësaj logjike e shoh edhe propozimin tim. Yje të vendosur në shtrimin e trotuareve, në nivel me sipërfaqen, pa penguar ecjen, karrocat e fëmijëve apo personat me aftësi të kufizuara. Një ndërhyrje që i shton qytetit kuptim, duke respektuar funksionin e tij.
Përfytyro një fëmijë që ecën për dore me prindin dhe pyet: “Kush ka qenë ky?” Një emër në trotuar mund të hapë një bisedë për një këngë, një libër, një zbulim, një jetë të shpëtuar apo një medalje që na ka bërë krenarë. Kështu kujtesa hyn natyrshëm në përditshmëri. Mes rrugës për në shkollë, punë apo shtëpi, takojmë edhe njerëzit që na kanë lënë diçka me vlerë.
Do të doja që përzgjedhja e këtyre emrave të bëhej me kritere të qarta, me pjesëmarrjen e institucioneve kulturore, profesionistëve dhe qytetarëve. Kontributi të ishte arsyeja e nderimit. Dhe aty të kishte vend edhe për figura që kanë bërë shumë, por për të cilat është folur pak.
Blloku ka qenë dikur një hapësirë e rezervuar për pushtetin. Sa bukur do të ishte që trotuaret e tij të mbanin emrat e njerëzve që talentin, dijen dhe punën ua kushtuan të gjithëve.
Lorenc, shkrimi yt ngre shqetësimin për një qytet që na lodh nervat. Unë dua t’i shtoj një propozim për një qytet që na ushqen edhe shpirtin. Të dyja kërkojnë të njëjtën gjë: të mendojmë për njeriun që jeton këtu çdo ditë.
Rrugëve t’u japim frymëmarrje. Trotuareve t’u japim kujtesë. Dhe yjeve tanë, një vend në qytetin ku ecim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.