MPJ dhe Instituti i Krimeve të Luftës nënshkruajnë memorandum për prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit
Ministri Glauk Konjufca dhe drejtori ekzekutiv Atdhe Hetemi nënshkruan memorandumin që synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi, siç njofton KosovaPress.
Memorandumi synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Ministria dhe Instituti do të koordinojnë përpjekjet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, provave dhe publikimeve për krimet e luftës, ndërsa rrjeti diplomatik dhe konsullor i Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet relevante ndërkombëtare.
KosovaPress kujton se kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar më 6 nëntor se të dhënat e reja për viktimat e luftës do të publikohen në fund të janarit 2027; lista paraprake e publikuar në fund të korrikut numëronte 13 195 persona të verifikuar për periudhën 1998–2000, ndërsa baza e të dhënave përditësohet çdo ditë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.