Teater

Mujo rikthehet në rolin e një aktoreje të famshme

“Vanja, Sonja, Masha” vjen më 24 tetor premierë në Teatrin Kombëtar nën regjinë e Driada Dervishit

Yllka Mujo1Ajo do të jetë Masha. Një aktore me jetë e karrierë të suksesshme, e cila një ditë vendos të kthehet në shtëpinë e prindërve. Për vite me radhë ajo thjesht i kishte ndihmuar financiarisht, duke e lënë kujdesin e tyre në dorë të motrës dhe vëllait. Por kthimi i saj në shtëpi, dhe vendimi për të shitur shtëpinë, krijon një situatë të padëshiruar. Ky do të jetë roli i ri që do ta kthejë sërish aktoren Yllka Mujo në teatër, vetëm pak javë nga interpretimi në dramën “Udhëtimi i gjatë drejt natës” nën regjinë e Spiro Dunit. Nëse në dramën e Eugene O’Neille, Mujo interpretonte rolin e Mary-t, gruas së trishtuar e të varur nga droga të një aktori të famshëm (Artan Imami), në komedinë e dramaturgut amerikan Christopher Ferdinand Durang,ajo do të jetë Masha, një aktore e madhe e skenës. Këto ditë, në ambientet e Teatrit Kombëtar, regjisorja Driada Dervishi po u jep fund provave me aktorët, për të qenë gati për premierën e datës 24 tetor. “Vanja, Sonja, Masha etj.”, quhet komedia shkruar nga Christopher Ferdinand Durang, nën regjinë e Dervishit, e cila do të vijë këtë fundjavë në datat 24, 25, 26 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar. Në role interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Olta Dako, Adelina Muça, Valina Muçolli dhe Besmir Bitraku. Për Dervishin, kjo është një komedi e bukur, e cila përmes situatave duket sikur i flet realitetit të sotëm. Kritika e ka cilësuar veprën si më të suksesshmen e dy viteve të fundit, por edhe nga pjesët më të zgjuara të komedive bashkëkohore. Bëhet fjalë për Çehovin të zhvendosur dhe të rifreskuar e të sjellë në vitet 2000. Një miksim i komedisë dhe dramës, bazuar në temat dhe personazhet e dramaturgut rus, një komedi ku përmblidhen ndjeshmëria tipike e tij, por dhe humori. Fabula e saj duket e thjeshtë. Dy motra dhe një vëlla. Një prej motrave dhe vëllai, Sonja dhe Vanja, kanë gjithë jetën që janë kujdesur në një shtëpi në provincë për prindërit, pa mundur të krijojnë një jetë të tyre. Masha, motra e madhe që i ka ndihmuar financiarisht, nuk është marrë asnjëherë me prindërit dhe shtëpinë, por është një superaktore mjaft e paguar dhe e njohur, e cila vjen për një festë me kostum për të takuar dhe familjen. Këtu fillon e gjithë komedia, sepse ajo vjen për të shitur shtëpinë. Pas kësaj fillon tensioni dhe konflikti mes motrave dhe vëllait.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button