Musk kërcënon demokratët: Do të kundërpërgjigjem nëse më hetoni pas zgjedhjeve të mesmandatit
Elon Musk paralajmëroi të mërkurën se do të kundërpërgjigjet ndaj demokratëve, të cilët, sipas raportimeve, po përgatiten ta vënë atë në qendër të hetimeve nëse fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit.
Miliarderi reagoi në rrjetin X, të cilin e zotëron, ndaj një raporti të Politico-s me titullin “Demokratët kanë një mesazh për Elon Musk: Kujdes”, siç raporton New York Post. “Kush jeton me shpatë, nga shpata vdes”, shkroi Musk, duke shtuar: “Ata që nisin luftë me mua duhet ta kuptojnë se do të zbuloj kush i tërheq vërtet fijet dhe do të shkoj pas tyre, jo vetëm pas kukullave të tyre”.
Sipas Politico-s, ligjvënësit demokratë po përgatisin një sërë hetimesh për korrupsion ndaj administratës Trump, duke filluar nga njeriu më i pasur në botë. Musk është një megadonator republikan dhe këtë vit ka dhuruar qindra miliona dollarë për kandidatët republikanë.
Hetimet e mundshme mund të përfshijnë rolin e tij në krye të Departamentit të Efiçencës Qeveritare (DOGE), i cili shkurtoi qindra mijëra vende pune federale, si dhe kontratat federale prej miliarda dollarësh të kompanive të tij. SpaceX, firma raketore e Musk me vlerë rreth 2 trilionë dollarë, zotëron edhe biznesin satelitor Starlink dhe mban kontrata të mëdha mbrojtjeje me qeverinë federale.
Në shënjestër pritet të jetë edhe roli i raportuar i Musk në ngadalësimin e internetit satelitor në Ukrainë: zyrtarë amerikanë i kanë thënë Wall Street Journal se Musk zgjodhi ta ngadalësonte papritur shpejtësinë e Starlink-ut në Ukrainë pa u konsultuar me Shtëpinë e Bardhë, ndërsa një burim tjetër pretendon se ai u konsultua paraprakisht me zyrtarë të lartë të administratës dhe me vetë Trump-in.
Demokratët nuk e kanë fshehur synimin. “Ka shumë pyetje” për rolin e Musk në DOGE “dhe është diçka që ne planifikojmë ta hetojmë”, tha Sara Guerrero, zëdhënëse e kongresistit Robert Garcia, demokrati më i lartë në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës. Kongresistja Pramila Jayapal pyeti: “Çfarë ndodh kur një njeri i vetëm merr një kontratë gjigante nga qeveria dhe pastaj e përdor atë për të ndërprerë komunikimet në një luftë, ku mbështetja e Ukrainës ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara?” Ndërsa kongresistja Sydney Kamlager-Dove tha se Musk duhet të paraqitet para Komitetit të Punëve të Jashtme, me mesazhin: “Sillini të gjitha”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.