Abdixhiku reagon pas kthimit të Ligjit për Specialen: Ku do ta lini baltën që hodhët mbi LDK-në?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula për rikthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Abdixhiku ka kritikuar PDK-në për mënyrën se si, sipas tij, e ka trajtuar LDK-në gjatë debatit për këtë ligj, duke thënë se partia e tij është fyer dhe akuzuar padrejtësisht.
“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se LDK-ja është paraqitur si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa emrat e përfaqësuesve të saj, sipas tij, janë vendosur përkrah atyre të Listës Serbe.
“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka mbrojtur qëndrimin e partisë së tij, duke thënë se ajo e ka mbajtur atë pavarësisht sulmeve që, sipas tij, kanë pasuar.
“Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka shkruar ai.
Abdixhiku u është drejtuar edhe mbështetësve të LDK-së, duke i ftuar të qëndrojnë krenarë për qëndrimet e partisë.
Ai ka theksuar se LDK-ja e mbështet luftën e UÇK-së, por ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet çështja e ligjit.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!”, ka përfunduar Abdixhiku./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.