“Na ruajt Zoti”, Ish-ministri i Brendshëm për rastin e SHISH: Nuk e kuptoj si kemi mbijetuar si shtet
Pas ngjarjes së fundit me Shërbimin Informativ Shtetëror, ku drejtuesja e saj Vlora Hyseni dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar për dosjen “AKSHI”, ish-ministri i Brendshëm Sandër Leshi, zgjidhjen e sheh te vullneti politik, por me shpresë te Zoti. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai sjell në vëmendje historinë e mbijetesës së shqiptarëve prej shqiptarëve nga viti 1913 deri në vitin 1997.
“Zgjidhje ka përherë nëse ka vullnet. Është një shprehje e Fishtës “Zoti ka me rujt Shqipërinë për inat të shqiptarëve”. Ne kemi një marrëdhënie të tillë me zotin që na ruan përherë dhe çuditërisht na ka ruajtur përherë dhe kur kemi punuar kundër saj. Kujto vitin 1913 me ato lëvizjet që luftonin shqiptarët kundër pavarësisë së saj. Kujto vitin ‘97. Dhe çuditërisht kemi dalë. Nuk e shpjegoj dot në mënyrë racionale këtë mbijetesën tonë se në mënyrë racionale do kishim humbur deri sot. Ne zoti na ruan edhe kur punojmë keq, na ka ruajtur zoti. Edhe këtë e besoj unë që Zoti do na ruajë Shqipërinë edhe për inat të shqiptarëve që punojnë kundër saj”, tha ish-ministri Lleshaj në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas Lleshajt, ajo që duhet të ndryshojë në vendin tonë, është lehtësia me të cilat u jepen poste publike njerëzve të paprovuar dhe që i kushton shumë shtetit.
“Lehtësia me të cilat trajtojmë çështjet dhe lehtësia që dorëzojmë postet publike në duar krejtësisht të panjohura, të paprovuar, duhet të ndryshojë, kjo lehtësi na kushton shumë. Nuk mund të lejohet të cedojë. Kur ti vjen në një post publik duhet të lësh peng diçka, që është e kaluara jote. Duhet të jesh me një të kaluar të provuar, ku dëmi yt kolateral është i menaxhueshëm. Kur shkon lart dëmi është katastrofik. Këtu nuk duhet të kesh asnjë risk, te ministri deputeti, drejtuesit e agjencive të mëdha risku duhet të jetë zero. E kundërta nuk menaxhohet më.Një punonjës kur sheh cedimet e shefit të tij katastrofike ndjehet keq dhe unë besoj që vartësit imitojnë shefin e tyre e sillen si ai. Nëse shefi është kërkues e korrekt ashtu janë të gjithë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.