Ekonomia

NBG Shqipëri në shitje, Eurosig dhe dy banka, oferta për ta blerë

Banka Kombëtare e Greqisë ( NBG), e cila prej vitesh operon në sistemin bankar shqiptar, ashtu sikurse kishte paralajmeruar më herët, ka vendosur të tërhiqet nga Shqipëria duke nxjerrë në shitje filialin e saj NBG Albania. Monitor mësoi se të paktën tre subjekte kanë ofertuar pranë kësaj banke, ku dy prej tyre janë brenda të njëjtit profil operimi,  kurse oferta e tretë vjen nga një kompani sigurimi, Eurosig.

Presidenti i Eurosig, Kadri Morina, i kontaktuar nga Monitor, pohoi se është e vërtetë që ka dorëzuar një ofertë për blerjen e degës së NBG në Shqipëri. “Ne mendojmë që sektori i sigurimeve dhe ai i bankave kanë shumë të përbashkëta dhe në portofolin tonë një diversifikim i tillë është vetëm pozitiv. Kemi dorëzuar një ofertë dhe po presim përgjigjen, që besoj do te jetë shumë e shpejtë, ndoshta në fillim të javës tjetër” tha ai.

Oferta tjetër është dorëzuar nga Banka Amerikane e Investimeve, (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital). Banka nuk dha koment.

Banka e Parë e Investimeve mësohet të jetë e treta në grupin e subjekteve që kanë shprehur interes për të blerë bankën NBG. Banka nuk ishte e arritshme për koment.

NBG po shet degët në Ballkan

Në muajin gusht NBG njoftoi mbi nënshkrimin e një marrveshjeje  me ΟΤP Bank Romania për shitjen tek OTP të pjesës së saj të aksioneve prej 99.28%, që zotërohej tek dega e saj rumune, Banca Romaneasca dhe të një portofoli të huave me risk të korporatave.

Më herët, CEO i Bankës, Leonidas Fragiadakis, ka pohuar në një intervistë për Reuters se NBG do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët.

“Më shumë se 90 për qind e ristrukturimit tonë ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve në kuadër të planit,” tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes ishin duke u zhvilluar.

Situata e NBG në Shqipëri

Në fund të tremujorit të dytë 2017, totali i aktiveve të NBG në Shqipëri ishte 40.5 miliardë lekë, duke përbërë 2.8% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Pesha e NBG-së ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitin 2008, kur ajo zinte 6.7% të totalit, teksa banka kishte qenë shumë agressive në treg deri në atë periudhë, sidomos në kredidhënie. Pas vitit 2008, aktiviteti i gjithë bankave me kapital grek filloi të tkurrej, duke u përshpejtuar vitet e fundit teksa sistemi bankar grek kaloi në krizë dhe Greqia dy vjet më parë rrezikoi dhe daljen nga euro. Teksa mëma përpiqet të rregullojë treguesit në shtëpi, ajo po shet gradualisht degët e rajonit.

Aktualisht NBG në Shqipëri zotëron 4.8% të stokut të kredisë, nga 9.2% që ishte kjo peshë në fund të vitit 2008.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button