Ndahet kësti i radhës për ish-të përndjekurit politikë
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shpërndau sot këstin e radhës për ish të përndjekurit politikë.
Gjatë shpërndarjes së këtij kësti, ministri Veliaj theksoi se “janë në dispozicion 344 milionë lekë për ish të përndjekurit politikë”.
“Fillimisht do dëmshpërblehen ish të përndjekurit politikë që janë gjallë dhe më pas pasardhësit e tyre”, tha Veliaj, duke shtuar se 41 persona kanë marrë edhe një këst këtë vit.
Ministri Veliaj u shpreh se “ligji i ri na mundësoi që të japim edhe një këst tjetër për personat që janë gjallë. Nga 2700 persona që janë gjallë , vetëm 1300 kanë sjellë çertifikata dhe një llogari bankare aktive, pra është e rëndësishme që të sillen çertifikatat”.
Unë e di, vijoi Veliaj, që sapo ka filluar viti i ri shkollor dhe qeveria është duke përgatitur një vendim që t’i zerojë të gjitha tarifat për fëmijët e të përndjekurve politikë. Ne si ministri kemi marrë një vendim që do të zerojmë tarifat për shkollat profesionale për të gjithë ata që janë fëmijë të të përndjekurve”.
Ministri Veliaj u shpreh se “me këto dy vendime jemi shumë korrekt me premtimet që kemi dhënë, kemi mundësinë të tregojmë frutin e parë të ligjit të ri duke mos pasur asnjë kompleks që unë votoj majtas e djathtas , por shteti shqiptar është i të gjithëve, edhe i të përndjekurve edhe atyre që kanë lindur pasi ka rënë komunizmi”.
Ndërsa Kryetari i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, falënderoi Kryeministrin Rama dhe ministrin Veliaj për angazhimin maksimal, që kanë marrë përsipër që kalavari i 23 viteve të përmbyllet brenda mandatit të parë.
“Asnjë i burgosur politik që jeton sot në Shqipëri, të mos presë më qeverisje të tjera, pavarësisht se do të jenë të majta apo të djatha, të marrë dëmshpërblimin njëherë e përgjithmonë”, theksoi Kola.
Kreu i të Përndjekurve, tha se “me ligjin e ri personat që janë gjallë duhet të trajtohen me përparësi dhe të gjithë ata që janë gjallë do të marrin 70 për qind të fondit të miratuar nga qeveria për secilin individ”.