Ndalohet ish-drejtori i Uzinës së Mjekësit, abuzoi me tenderat
Ish-drejtori i Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit, i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, u ndalua këtë të mërkurë nga Policia e Elbasanit.
Daniel Karanxha akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
64 vjeçari, banues në Elbasan, u ndalua nga efektivat e policisë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendim penal, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale ”shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Hetimi nga prokuroria nisi pas kallëzimit që Ministria e Mbrojtjes bëri dy vjet më pare. Në pranga u vunë shtetasit Kristaq Piligriu, me detyrë Kryetar i Degës Ekonomike në Uzinën Lëndëve Plasëse Mjekës, Argjir Panariti, ish-inxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, Stavri Çipa me detyrë Kryeinxhinier dhe Gëzim Pitja me detyrë inxhinier.
Shkeljet e konstatuara në shuma të mëdha parash janë bërë në vitet 2012-2013 në kohën kur drejtor i Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës ishte Daniel Karanxha, i shpallur në kërkim.
Top Channel siguroi detajet e tenderëve ku Prokuroria ka konstatuar shkelje ligjore. Bëhet fjalë për procedurën e shitjes së lëndëve tritol me vlere 270 mijë dollarë, procedura e prokurimit në realizimin skenografik në 3D të koncertit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare në shumën 11 milionë lekëve, sponsorizimet e kryera nga kjo uzinë në vlerën e 3.6 milionë lekëve kalimi në pronësisë të ULP Mjekës të Klubit te Futbollit “Partizani” dhe ankandi për shitjen për skrap nga uzina ku vlera e dëmit është 9. 8 milionë leke.