Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Borshit, punimet nxjerrin në dritë elementë të rinj me rëndësi të veçantë historike
Ndërhyrja restauruese në Kalanë e Borshit ka nisur prej disa muajsh dhe ka si objektiv kryesor ruajtjen e këtij monumenti të rëndësishëm kulturor. Ndërhyrjet përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës hyrëse të kalasë dhe restaurimin e elementëve të rëndësishëm, por punimet gjithashtu kanë nxjerrë në dritë dhe elementë të rinj me rëndësi të veçantë historike. Ministri Blendi Gonxhja inspektoi punimet restauruese në Kalanë e Borshit, ku shprehet se një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe stabilizimi strukturor dhe konservimi i vetë kalasë.
“Prej disa muajsh po vijojnë punimet restauruese në Kalanë e Borshit, në një ndërhyrje që synon jo vetëm ruajtjen e monumentit, por edhe garantimin e sigurisë së tij afatgjatë. Punimet janë përqendruar në përforcimin e masivit shkëmbor mbi të cilin ngrihet xhamia, stabilizimin e shpatit për sigurinë e vizitorëve, si edhe ndërhyrje përforcuese në rrugën hyrëse të kalasë për të përmirësuar aksesin. Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe stabilizimi strukturor dhe konservimi i vetë kalasë, rijetëzimi i mureve, bedenave, si edhe restaurimi i xhamisë, ku po kryhen ndërhyrje në muraturë, përforcim të elementëve të dëmtuar dhe restaurim të pikturave murale, duke ruajtur autenticitetin dhe vlerat historike të saj”, shprehet Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Kalaja e Borshit është një ndër monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare, ku po vijojnë ndërhyrjet restauruese, por ministri Gonxhja që inspektoi dhe punimet bën me dije se pastrimi i bimësisë dhe rrënojave ka zbuluar stera uji, gjurmë të shekullit XX dhe struktura më të hershme, duke pasuruar historinë e kalasë. Sipas tij, këto zbulime thellojnë njohjen e saj dhe rrisin vlerën kulturore. “Paralelisht, procesi i pastrimit të bimësisë dhe largimit të materialeve të rrënojave ka nxjerrë në dritë elementë të rinj me rëndësi të veçantë historike, si stera për mbledhjen e ujit të shiut, gjurmë të ndërhyrjeve të fillimit të shekullit XX dhe struktura edhe më të hershme që pasurojnë leximin historik të sitit. Këto zbulime tregojnë se ndërhyrja shkon përtej restaurimit fizik, duke kontribuar edhe në njohjen më të thellë të historisë së kalasë dhe rritjen e potencialit të saj si destinacion kulturor”, vijon Gonxhja.
Punimet në kala
Kalaja e Borshit tashmë është përfshirë në ndërhyrje restauruese, por synohet dhe vijimi i një menaxhimi të integruar me Bashkinë e Himarë. Nga ministri i MTKS-së Blendi Gonxhja bëhet me dije se punimet në kala po zbatohen me projektim nga Cultural Heritage without Borders Albania dhe monitorim nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, falë financimit nga Banka Botërore përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. “Synojmë vijimin e një menaxhimi të integruar me Bashkinë e Himarës për transportin e gjelbër të turistëve, përmirësimin e lagjes poshtë kalasë dhe promovimin turistik”, vijon Gonxhja.
Pas përfundimit të punimeve, siç është bërë me dije më parë Kalaja e Borshit do të hapet si sit i ri muzeal me biletë hyrëse, duke u kthyer për herë të parë në një destinacion të mirëstrukturuar për vizitorët. Kalaja e Borshit ndodhet në një kodër të gjelbëruar mbi fshatin dhe bregdetin e Borshit, në rivierën shqiptare. E ndërtuar që në periudhën antike, dhe e rindërtuar gjatë periudhës bizantine dhe otomane, kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike për kontrollin e rrugëve tregtare dhe mbrojtjen e zonës. Muret e kalasë rrethojnë një sipërfaqe të madhe, dhe brenda saj gjenden rrënoja historike, përfshirë një xhami osmane. Kalaja ofron një pamje panoramike të mrekullueshme mbi detin Jon dhe fushën e Borshit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.