Ndërkombëtarët kërkojnë formim të shpejtë të institucioneve në Kosovë, Albin Kurti shpreh gatishmëri për koalicion…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë t’i shpallë më 26 qershor, ndërkaq certifikimin e tyre ta bëjë deri më 6 korrik. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë të mbajtur pasditen e 8 qershorit, tha se këto dy data janë vetëm planifikime nga ana e institucionit, pasi shpallja e rezultateve dhe certifikimi i tyre, ndër tjera, varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët për procesin. “Krejt kjo varet nga ecuria e aktiviteteve, dinamika e aktiviteteve që zhvillohen në këto qendra [Qendrat komunale të Numërimit].
Gjithashtu, mes shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit ka një proces ankimor, i cili duhet të zhvillohet në institucione të ndryshme siç është PZAP-ja [Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtres] dhe Gjykata Supreme”, tha ai. Elezi njoftoi se, nga 38 komunat, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë paraditen e së hënës ka nisur në 15 sosh: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. “Ndërkaq, pasdite aktivitetet do të fillojnë në Qendrat Komunale të 23 komunave të tjera”, shtoi ai. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë pritet të përmbyllet brenda disa ditësh. Deri më tani, numërimi i votave të rregullta është përmbyllur – pasi ai bëhet në klasa menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve – brenda disa orësh pas përfundimit të votimit. Tani, KQZ-ja bën verifikimin e votave për partitë, paralelisht me numrin e votave për kandidatët. Ndërkaq, pritet po ashtu që të numërohen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe të diasporës – ato nga përfaqësitë diplomatike dhe me postë.
Kurti i hapur për bashkëpunim pas fitores
Pas shpalljes së rezultateve, Kurti la të hapur mundësinë për dialog dhe bashkëpunim me partitë e tjera politike. “Në javët e ardhshme do të komunikojmë, do të takohemi dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike”, tha ai në një fjalim drejtuar mbështetësve të tij, mbrëmjen e 7 qershorit. Partia e tij ka marrë pushtetin për herë të parë në vitin 2019, me një agjendë më nacionaliste dhe të fokusuar kryesisht në mirëqenien e qytetarëve. Që nga ajo kohë janë mbajtur edhe katër palë zgjedhje parlamentare, kryesisht të parakohshme, dhe Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në të gjitha. Kurti e theksoi këtë edhe në adresimin e tij paszgjedhor. “Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare… Prandaj, edhe në këto zgjedhje të pesta u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë”, tha ai. “Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar. Sepse tani është shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, shtoi Kurti.
Mesazhet nga ndërkombëtarët
Nga ana tjetër, ambasada e Gjermanisë në Prishtinë theksoi rëndësinë që Kosova të ketë institucione plotësisht të mandatuara dhe të qëndrueshme, “pa asnjë vonesë të mëtejshme”. “Na duhet një partner i fortë me të cilin mund të punojmë. Progresi në rrugën drejt integrimit në BE varet nga të gjithë aktorët politikë që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në deklaratë. Ngjashëm, edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë shfaqi shpresën se negociatat paszgjedhore do të çojnë në formimin e shpejtë të institucioneve të reja, duke siguruar stabilitetin e nevojshëm për vazhdimin e reformave dhe adresimin e prioriteteve të qytetarëve. “Ne i inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadës italiane.
Tri palë zgjedhje brenda më pak se një viti e gjysmë
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ato ishin zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër procesi të parakohshëm më 28 dhjetor. Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, nuk sollën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind. Ndonëse votat me kusht dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende, rezultatet e deritanishme tregojnë disa ndryshime në pozicionim krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.