Ndikimi rus në zgjedhje, Mueller: Trump jo pjesë e komplotit
Prokurori i posaçëm Robert Mueller thotë se as Presidenti Donald Trump, as fushata e tij nuk kanë komplotuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, sipas një përmbledhjeje të paraqitur të dielën nga kreu i Departamentit të Drejtësisë William Barr.
Por përsa i përket pyetjes nëse Presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë ose duke u orvatur të prishë hetimin e prokurorit Mueller, Barr tha, “Raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer ndonjë krim, por as nuk e përjashton këtë”.
Barr publikoi një përmbledhje të raportit të shumëpritur për hetimin që zgjati 22 muaj rreth akuzave se fushata e zotit Trump kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në favor të Trump.
Prokurori i Përgjithshëm Barr ia dërgoi përmbledhjen e tij Kongresit dhe e bëri atë publik të dielën. Mueller e dorëzoi raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë të premten.
Në përmbledhjen e Barr vihet në dukje se gjatë hetimit gati dy vjeçar, Prokurori i Posaçëm Mueller pati në dispozicion të tij 19 avokatë dhe 40 agjentë të FBI-së që punonin me të, lëshoi më shumë se 2.800 thirrje për paraqitje, bisedoi me rreth 500 dëshmitarë dhe kreu gati 500 urdhra për bastitje.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi njëzëri këtë muaj për një rezolutë e cila kërkonte që raporti i plotë i Mueller të bëhej publik. Shumë ligjvënës duan gjithashtu të shohin ndonjërën nga dëshmitë që e bënë Mueller të arrinte në përfundimet e tij, sidomos tani që Barr shkruan se raporti i Prokurorit të Posa]ëm Mueller “nuk e nxjerr të pafajshëm” zotin Trump, edhe nëse presidenti thotë të kundërtën.