Ndryshim i madh midis PD-së dhe partive të Evropës.

Zgjedhjet për kryetarin e PD-së që janë thjesht një farsë. Berisha dhe puthadorët e tij po luajnë ose, më saktë, po u hedhin hi syve mijëra anëtarëve të Partisë Demokratike që kërkojnë një garë normale demokratike për të votuar për kryetarin e tyre. Ky votim, si të thuash, ka një veçori se bëhet pasi PD-ja (lexo Berisha), që nga viti 1913, ka humbur si zgjedhjet për pushtetin vendor dhe ato për Kuvendin Popullor ose Parlamentin, si themi ne më shkurt. Fakt kokëfortë që të bind se kryetarit Berisha, si humbës serial, i takonte të tërhiqej ose të paktën të mos ishte ai, ZEUSI, i vetmi kandidat. Kësaj i thonë: votoni për mua, se vetëm unë meritoj të jem i pari juaj?!
Duke i hedhur një vështrim historikut të disa partive të djathta evropiane, më del që rasti aktual i PD-së nuk është as i vetëm dhe as nuk përbën shkelje të normave të demokracisë. Partitë nuk janë institucione shtetërore. Ato janë grupime private që kanë rregullat e tyre të formuluara në statutet përkatëse. Edhe në rast se bëjnë ndonjë devijim, askush nuk mund të ndërhyjë në privatësinë e tyre. Pra, na del se edhe në Evropë, jo në pak raste, ka pasur zgjedhje vetëm me një kandidat. Kjo ka ndodhur në Gjermaninë Demokratike në kohën e kancelarëve Kohl dhe Merkel. Për dekada CDU dhe SPD kanë pasur procese “canonizimi”, siç quhen zgjedhjet vetëm me një kandidat. Ka ndodhur 8 herë edhe në Republikën Çeke gjatë viteve 1995, 1997, 1999, 2001, 2006, 2009, 2013 dhe 2017. E njëjta dukuri edhe te partitë liberale të Suedisë, në Belgjikë, Estoni, Lituani, Finlandë e deri në Itali. Pra, po të nisemi pa u thelluar në këtë problem, mund të themi se Partia Demokratike dhe Berisha nuk bëjnë ndonjë përjashtim ose thagmë, siç mund ta quajmë. Deri sa e ka bërë Gjermania, pse ne të mbetemi mbrapa saj?! Ama, duke i hapur pak petët lakrorit, vërejmë se në partitë e djathta të Evropës rastet e zgjedhjeve me 1 kandidat kanë qenë kur në ato parti nuk ka pasur konkurrentë, ngaqë kryetari ka qenë njeri me aftësi të veçanta. Pra, askush nga anëtarët e forumeve drejtuese nuk ka guxuar të vërë kandidaturën e tij, sepse do ta kishte të humbur “betejën” ende pa rënë bilbili i fillimit të lojës. Pra, nuk kemi të bëjmë me uzurpim të karriges së kryetarit. Kemi një shmangie nga rregulli për hir të kapacitetit absolut të kryetarëve aktualë. Të atyre që kanë fituar me radhë zgjedhjet vendore ose parlamentare, që janë objektivi kryesor i çdo partie. Në këto raste, votimi për postin e kryetarit është vetëm formalitet. Është centralizim pushteti brenda partisë. Nuk kemi mungesë të demokracisë në nivel shteti.
Rasti që Berisha kryeson i vetëm këtë garë nuk tregon se ai ka qenë fitimtar si Kohl dhe Merkel. Përkundrazi, ai është humbës i madh. Veç kësaj, ai është i zhytur në afera korruptive. Është shpallur NON GRATA nga USA dhe Britania e Madhe. Është në proces gjyqësor për korrupsion pasiv dhe për vrasjet që bëri shteti më 21 janar. Atë nuk e votoi më populli, ngaqë nuk e pëlqeu shtetin e tij të rrumpallës. Nuk mund të votonte më populli për një njeri që i la vartësit e tij të vidhnin me të dy duart e të mos u hynte ferrë në këmbë. Një njeri që furnizoi me naftë kontrabandë Millosheviçin, kasapin e Ballkanit. Një kryetar që vetëm gënjente e mashtronte, që shpifte dhe ofendonte, që quante lavire një prokurore që kryente ndershmërisht detyrën e saj, që qëllonte me hekur në kokë një gazetar dhe që dogji gazetën Koha Jonë… Shikoni sa i madh është hendeku midis kryetarit të PD-së dhe udhëheqësve evropianë që janë votuar pa pasur tjetër kandidat?!
Jo vetëm kaq. Në as edhe një rast në partitë e Evropës nuk janë ndaluar të garojnë për postin e kryetarit anëtarët e forumeve të tyre drejtuese. Pse? Deri sa janë njerëz të zgjedhur në forumet drejtuese, ata i plotësojnë kushtet për të qenë kandidatë edhe për karrigen e kryetarit. Në PD, me Zeusin Berisha kryetar, sivjet me motivime qesharake u përjashtua nga gara Ervin Salianji, meqë qenka vetëpërjashtuar?! Kush se, ai që deri para se të niste fushata për rinovimin e PD-së, ishte si hero i saj, ndonëse qe dënuar jo për politikë, po për mashtrim. Nuk u pranua as Evi Kokalari, meqë nuk paska qenë anëtare e PD-së, kur ajo ka qenë aktive në procesin e Rithemelimit të partisë. Edhe Alesia Balliu gjithashtu u fshi nga lista për të mbetur Berisha i vetëm, pa kundërshtarë. Disa vite më parë, Berisha pranoi të kishte edhe kandidat të dytë për postin e tij, sepse ishte i sigurt që kishte për të fituar. Ai akoma mbahej si simbol i duarve të pastra, prandaj fitoi lehtë ndaj kolegut të tij, doktor Artanit. Tani që PD-ja është rrënuar për faj të tij, që ka humbur të gjitha zgjedhjet dhe që bota perëndimore i ka vënë damkën e hajdutit me çizme, nuk e ka të sigurt se mund t’i mposhtë konkurrentët e tjerë, prandaj dhe i përjashtoi të gjithë si njerëz të padenjë. Madje ndonjë prej tyre na çon ujë te mulliri i Ramës?! Ja, për këtë njeri, për të mos thënë këtë të pandehur, anëtarët e PD-së janë të detyruar të votojnë?!
Shikoni sa ndryshim të jashtëzakonshëm kanë partitë e djathta të Evropës edhe kur kanë vetëm një kandidat për kryetar, në krahasim me PD-në që po detyron anëtarësinë e saj të votojë për një njeri që është i pandehur. Ai ende është i lirë, ngaqë drejtësia duket sikur është pjesë e PD-së.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.