Ndryshimet për ligjin e “Zonave të Mbrojtura”, Rama: U përdor si benzinë nga protestuesit dhe disa eurodeputët për axhendat e tyre politike. Ndryshimet, në përputhje me BE
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te debati për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe protestat e zhvilluara gjatë muajit qershor për mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, Shqipëria ka bërë përparim të madh në mbrojtjen e florës dhe faunës gjatë dekadës së fundit, ndërsa kundërshtimet ndaj ndryshimeve ligjore janë ndërtuar mbi keqinformim.
Rama tha se gjatë dhjetë viteve të fundit janë zgjeruar ndjeshëm sipërfaqet e mbrojtura dhe është ngritur një sistem i ri administrimi, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më të avancuara në rajon në këtë drejtim.
“Në një dekadë ne kemi bërë për florën dhe faunën e vendit ndryshime drastike krahasuar me atë që ka qenë. Gjatë kësaj dekade zgjeruam në mënyrë të ndjeshme, si asnjë vend tjetër në rajon, sipërfaqet e mbrojtura dhe i kthyem ato në një sistem administrimi, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024, për të cilat tha se janë përdorur për debat politik, ndërsa theksoi se ato janë hartuar në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe se ai ligj do të përputhet 100% me atë të BE gjatë procesit të negociatave.
“Ndryshimet e vitit 2024 në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vijojnë të përdoren si benzinë nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë edhe eurodeputetë që, në rastin më të mirë, nuk e kanë lexuar fare se çfarë është ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë dashur të luajnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan. Ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane. Nuk është fjala ime kundër atyre që mendojnë ndryshe, por ka një proces të zbatimit të kalendarit të negociatave për ta përputhur ligjin 100 për qind me direktivat e Bashkimit Europian. Ky konflikt i stisur do të zgjidhet në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit Europian”, tha Rama.
Rama tha se protestat për mbrojtjen e biodiversitetit janë një tregues i ndryshimit të shoqërisë shqiptare, duke theksuar se deri pak vite më parë askush nuk do ta kishte menduar se qytetarët do të mobilizoheshin për çështje të tilla.
“Askush nuk e ka pritur që do të vinte një ditë kur në atë bulevard do të protestohej për fatin e biodiversitetit dhe lagunave. Askush nuk mund të thoshte se ajo ditë do të vinte kaq shpejt”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.