“Në 2013 i quanim pazare të pushtetit në ikje”/ Tare kundër Qeverisë për dhënien me qira të kalave historike
Ish-deputeti socialist Auron Tare ka reaguar ashpër ndaj njoftimit se qeveria do të nxjerrë sërish në ankand kalatë historike, duke rikthyer në vëmendje qëndrimin e Partisë Socialiste në vitin 2013, kur kundërshtonte të njëjtën nismë të qeverisë së Sali Berishës.
Përmes një postimi në Facebook, Tare ka kujtuar se 13 vite më parë, kur Partia Demokratike po përgatitej të largohej nga pushteti, socialistët e cilësonin dhënien me qira të monumenteve të kulturës si një përpjekje për të nxjerrë në treg pasuritë kombëtare.
“Njoftimi i sotëm se Qeveria do të rinxjerrë përsëri Kalatë Historike në ankand më kujtoi të njëjtin moment të vitit 2013, kur Qeveria Berisha po përgatitej të largohej dhe po jepte me shpejtësi çdo vlerë që mundej”, shkruan Tare.
Ai ka risjellë deklaratën e tij të prillit dhe majit 2013, kur në cilësinë e deputetit të PS-së dhe anëtarit të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, e kishte cilësuar nismën e qeverisë Berisha si një “skandal të ri” dhe “pazar të fundit të pushtetit në ikje”.
Në atë kohë, Tare kishte paralajmëruar në emër të Partisë Socialiste se, me ardhjen në pushtet, të gjitha kontratat që do të lidheshin me subjekte private për marrjen me qira të kalave dhe monumenteve të kulturës do të shfuqizoheshin menjëherë.
Por tashmë, sipas ish-deputetit socialist, e njëjta praktikë po rikthehet nga qeveria e drejtuar prej Edi Ramës, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e socialistëve ndaj administrimit të trashëgimisë kulturore.
Tare kujton se kundërshtimin e tij e ka shprehur edhe në vitin 2016, kur Ministria e Kulturës, këtë herë nën drejtimin e socialistëve, riktheu në diskutim projekte të ngjashme.
Sipas tij, shndërrimi i kalave historike në restorante, bare apo aktivitete të tjera private, siç ka ndodhur në Petrelë dhe Lëkurs, përfaqëson një model të dështuar që i zhvesh këto monumente nga identiteti dhe konteksti i tyre historik.
Ish-deputeti thekson se kalatë dhe monumentet e kulturës duhet të rijetëzohen përmes projekteve që promovojnë turizmin kulturor dhe përfshijnë komunitetet vendase, në vend që të shndërrohen në hapësira thjesht tregtare.
Reagimi i Tares rikthen kështu në debat ndryshimin mes qëndrimit që Partia Socialiste mbante në opozitë në vitin 2013 dhe politikave që po ndiqen sot nga qeveria socialiste për shfrytëzimin e monumenteve historike.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.