“Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave, sot përballemi me pritshmëritë e popullit” – Rama: Ata s’presin kohën, por duan rritjen e vendit
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, u ndal gjerësisht te protestat e zhvilluara në bulevard, të cilat i cilësoi si një provë të re të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Ai pranoi se protesta e flamingove nuk ishte një sulm ndaj arritjeve të tri mandateve të para, por një mesazh i qartë se shoqëria kërkon më shumë.
“Ata nuk presin kohën, por duan rritjen e vendit. Kush përpiqet ta relativizojë këtë të drejtë që na e tregoi bulevardi, do të zvogëlohet. Sepse kjo nuk është thjesht një shfaqje pakënaqësie, por një udhëkryq ku populli na vë përballë pritshmërive të veta.”
Kryeministri tha se ka reflektuar mbi protestën që zgjati mbi 50 ditë, duke e parë si një sinjal të fortë se qytetarët nuk duan të krahasohen me të shkuarën, por duan të shohin rritjen e vendit në të tashmen dhe të ardhmen.
“Udhëkryqi për të cilin është folur më parë, por që nuk e kam perceptuar sa duhet, është ky: ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave, por sot përballemi me një popull që nuk e mat më vendin me mungesat e djeshme, por me pritshmëritë e veta për të ardhmen. Një popull që nuk na vlerëson më për gjithçka kemi bërë deri këtu, por na kërkon llogari për gjithçka mbetet për t’u bërë.”
Ai e cilësoi protestën si provën më shembullore që shqiptarët nuk e krahasojnë më vendin me të shkuarën e mungesave, por me mundësitë e reja ku duan të mbërrijnë.
“Bulevardi i flamingove është prova më shembullore që shqiptarët nuk e krahasojnë më Shqipërinë me vendin e mungesave, por me vendin e mundësive ku ata mezi presin të mbërrijnë. Prandaj nuk na vlerësojnë më vetëm për çfarë kemi ndryshuar, madje sikur duan ta harrojnë edhe atë që mbajnë mend, sepse janë të përqendruar të na gjykojnë për atë që mbetet për t’u bërë.”
Kreu i qeverisë shtoi se populli shqiptar nuk pranon më të mbetet aty ku ishte, dhe kjo është e drejta e tij legjitime.
“Një popull që bezdiset kur i tregojmë se sa poshtë kemi nisur për të mbërritur deri këtu, dhe që na tregon se sa lart do që të jetë, pa pritur kohën për t’u ngjitur, me ne ose pa ne. Dhe ka të drejtë. Kush përpiqet ta zvogëlojë dhe ta relativizojë masën e kësaj të drejte, do të zvogëlohet vetë.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.