Në Kuvend prezantohet raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026
Euroambasadori Mihalis Rokas tha në Kuvend se pa ndryshime kushtetuese nuk ka negociata me BE-në, ndërsa presidentja Siljanovska-Davkova kërkoi zbatim konsekuent të rregullave dhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e quajti raportin katastrofal.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u prezantua dhe u diskutua raporti i Komisionit Evropian për vendin për vitin 2026, ndërsa mesazhi kryesor i euroambasadorit Mihalis Rokas ishte i qartë: janë bërë shumë gjëra në harmonizimin e ligjeve dhe rregullave me legjislacionin evropian, por pa ndryshime kushtetuese nuk ka negociata. Siç njofton Alsat, Rokas përshëndeti disa reforma të miratuara sivjet në Kuvend dhe theksoi se e radhës është Kodi i ri Penal.
“Faza e ardhshme ngelet ajo që jemi dakorduar paraprakisht, ndryshimet kushtetuese, marrëveshja për administratën publike dhe reformat në gjyqësor. Koha e reformave është tani! Duhet të sigurohemi se ligjet e miratuara nuk do të ngelin vetëm në letër, por edhe do të zbatohen. Është vërejtur se në Kuvend jo gjithmonë sigurohet 2/3 e shumicës dhe kjo shkakton vështirësi në miratimin e ligjeve, siç janë ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, zgjedhja e avokatit të popullit e të tjera”, deklaroi Rokas, duke e cilësuar shqetësuese për BE-në faktin që shumica parlamentare nuk i posedon 2/3 e votave.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, nga ana e saj, tha se qartësia e kritereve për integrim në fazën para-integruese është zhgënjyese dhe demotivuese. “Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë trajtim të posaçëm, nuk kërkojmë standarde më të ulëta. Kërkojmë zbatim konsekuent të rregullave, principeve dhe vlerave, barazie, sigurisë juridike dhe inkuadrim të bazuar në merita”, tha ajo, duke shtuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë shtyllë e Bashkimit Evropian dhe jo instrument për shtyrjen e pacaktuar të perspektivës evropiane.
Kreu i opozitës LSDM, Venko Filipçe, e quajti raportin për vitin 2026 katastrofal dhe akuzoi Qeverinë se e largoi shtetin nga grupi i vendeve me rrugë të qartë drejt BE-së, përkatësisht përkrah Shqipërisë, Malit të Zi, Moldavisë dhe Ukrainës. “Nuk ka asnjë përparim në gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, në ligjvënien zgjedhore dhe tek mediat”, theksoi Filipçe.
Raporti i Komisionit Evropian, i publikuar në fillim të këtij muaji, vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka shënuar progres në disa reforma, por kërkon rezultate konkrete në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe në ndryshimet kushtetuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.