Politika

Në Tiranë do të çelet Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor

U mbajt në Sarajevë në datat 25-30 janar, takimi i tretë i Grupit të Punës për krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (RYCO).

Paralelisht me të, më 29 janar u mbajt edhe takimi i Këshilltarëve Politikë të Kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. 

Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së realizimi i këtyre takimeve u bë i mundur falë mbështetjes së Zyrës së Bashkëpunimit Franko-Gjermane (FGYO), e cila po asiston vendet e rajonit në këtë proces. 

Në përfundim të takimeve, në mënyrë unanime, u ra dakord dhe u vendos që selia e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë në Tiranë. 

Iniciativa e krijimit të RYCO u ndërmor në Samitin e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Vjenë me 27 gusht 2015, në kuadër të Procesit të Berlinit.

RYCO synon të zhvillojë më tej bashkëpunimin rinor, mirëkuptimin reciprok dhe shkëmbimin e eksperiencave në shërbim të forcimit të stabilitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përparimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të bëhet e mundur përmes intensifikimit të marrëdhënieve mes të rinjve dhe institucioneve që trajtojnë çështjet e rinisë, zbatimit të programeve rinore të përbashkëta në fushat e qeverisjes demokratike, të arsimit dhe inovacionit, promovimit të frymës së pajtimit dhe përhapjes së vlerave më të mira kulturore mes popujve tanë.

MPJ falënderon vendet pjesëmarrëse për pranimin e kandidaturës së kryeqytetit të Shqipërisë si selia e organizatës më të re rajonale dhe e konsideron atë si një përgjegjësi më shumë në kuadër të kontributit të vazhduar të vendit për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button