Ekonomia

Në vitin 2017, po falimentojnë 38 biznese në ditë, subjektet japin arsyet

Ka arritur në mbi 112 mijë numri i bizneseve që kanë kaluar me statusin pasiv, sipas listës së përditësuar të tatimeve deri në datën 8 nëntor. Listës i shtohen përditë subjekte të reja. Vetëm në javën e parë të nëntorit janë mbyllur 148 biznese.

Në total, sipas të dhënave të përpunuara nga lista e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, subjektet të cilat kanë kaluar në statusin pasiv gjatë periudhës janar-8 nëntor 2017-s janë 11,200. Me këtë ritëm, afërsisht 38 subjekte në ditë kanë pezulluar aktivitetin e tyre nga fillimi i vitit deri tani.

Monitor kontaktoi disa nga subjektet që kanë kaluar në status pasiv në nëntor për t’i pyetur për arsyet, që i kanë çuar në mbylljen e bizneseve. Arsyet janë nga më të ndryshmet, nga largimi jashtë vendit, mbyllja për efekt sëmundje, por ajo që mbizotëron është kriza, si rrjedhojë e rënies së konsumit, qirave të larta, shpenzimeve të mëdha por edhe konkurrencës së dyqaneve të vogla nga zinxhirët e supermarketeve në sektorin e tregtisë, që ka dhe numrin më të madh të bizneseve të vogla dhe të të vetëpunësuarve.

Dyqani ushqimor i  Aida Lulit, mbrapa Drejtorisë së Policisë në qytetin e Durrësit u pezullua këtë të hënë. Aida e kishte çelur aktivitetin në janar të 2016-s. Deri në gushtin e vitit 2016, Aida tregoi për Monitor se dyqani kishte pasur ecuri pozitive. “Të paktën nxirrte shpenzimet e veta. Më pas puna në dyqan ra, xhiroja ishte e ulët dhe ata që blinin nuk paguanin paratë, por shënonin emrin në listë,”- tha zonja Luli. Çdo muaj kisha shumë shpenzime dhe nuk mund të mbuloja qiranë dhe taksat. Mora edhe kredi, tha ajo për Monitor kur u pyet për arsyet e pezullimit të aktivitetit.

Sipas zonjës Luli edhe dyqane të tjera, në të njëjtën fushë veprimtarie kishin mbyllur aktivitetin në të njëjtën zonë, shumë pranë qendrës së qytetit të Durrësit.

Edhe Matilda Celami, tatimpaguese në Drejtorinë Rajonale të Tiranës, kishte pezulluar aktivitetin e saj në 2 nëntor. Zonja Celami ushtronte aktivitetin si dedektive private. Ajo tha për Monitor se shkak për mbylljen e aktivitetit u bënë taksat, pasi sipas saj profesionet e lira nuk janë të rregulluara mirë me ligj.

Një tjetër aktivitet i mbyllur në 3 nëntor është edhe dyqani i këpucëve i zonjës Marsilda Këllëçi. Zonja Këllëçi tha për Monitor se xhiroja e dyqanit, në Bulevardin Bajram Curri, nuk përballonte dot qiranë.

Pjesa më e madhe e subjekteve që kanë pezulluar aktivitetin në nëntor është në Tiranë e Durrës. Ata janë kryesisht persona fizikë, që kanë hapur aktivitet në emrin e tyre.

Sipas tatimeve, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:

– nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;

–  nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;

–  deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button