“Negociatat, në shtator”; Deputeti gjerman tregon kur do merret vendimi për Shqipërinë
Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul e konsideron shumë pozitiv samitin e Berlinit, i cili e la të zhgënjyer presidentin kosovar Hashim Thaçi. Ishte një impuls i rëndësishëm që dhanë Angela Merkel me Emmanuel Macron, u shpreh anëtari i partisë së kancelares, duke insistuar se ky impuls tani duhet të merret nga vendet e rajonit, e sidomos Serbia e Kosova ku nevojiten negociata shumë konkrete.
Wadephul u fokusua ndërkohë edhe tek negociata të tjera: ato të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. I pyetur nga DW, se kur mund të shpresojë Shqipëria të marrë “po”-në e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e tyre, ai u përgjigj se janë në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së, i cili do t’u mbërrijë pas zgjedhjeve europiane.
“Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konsultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Europës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Europian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian”, shprehet ai.
Por, a i ka plotësuar Shqipëria kushtet?
“Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së, duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Sot e kam të vështirë të jap një vendim, prandaj them se duhet te ecet përpara”, ka qenë komenti i tij. “Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur, por ka shumë shanse që të arrihet”, shtoi Wadephul.
Intervista e plotë?
Deutsche Welle: Zoti Wadephul, cili është vlerësimi juaj për samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin?
Johann Wadephul: Samiti ishte shumë pozitiv. U gëzova shumë që erdhën kaq shumë liderë nga rajoni për të biseduar me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Ishte një impuls i rëndësishëm që Angela Merkel me Emmanuel Macron dhanë dhe ky impuls tani duhet të merret nga vendet e rajonit. Dhe sidomos mes Serbisë dhe Kosovës na nevojiten negociata shumë konkrete.
Deutsche Welle:Si mendoni ju se mund të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë?
Johann Wadephul: Problemi i njohjes nuk mund të zgjidhet brenda ditës, askush nuk e pret këtë. Por mund të flitet për çështje të veçanta, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e pakicave, për asociacionet e komunave. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë e të mos ngecet në ca grindje të panevojshme për territore. Këto janë çështje të dorës së dytë. Nëse negociatat do të fillojnë tani me zgjidhjen e këtyre çështjeve praktike dhe shumë konkrete, atëherë kjo është një shenjë e mirë. Gjithsesi, ishte një nismë e rëndësishme nga Parisi dhe Berlini, sepse tani mund të rifillojnë negociatat.
Deutsche Welle:Ju u takuat edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kur mund të shpresojë Shqipëria të marrë “po”-në e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e negociatave?
Johann Wadephul: Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.
Deutsche Welle: A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për çeljen e negociatave?
Johann Wadephul: Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet.
Deutsche Welle:Shqipëria është momentalisht në një krizë ku është përfshirë edhe partia simotër e partisë suaj, PD-ja. A shihni ndonjë mundësi për ta zgjidhur krizën?
Johann Wadephul: Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.
Deutsche Welle:Mos është ky një apel për kolegët e partisë simotër, pra, për Bashën, që ai të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?
Johann Wadephul: Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci.