Nënë Tereza, misionarja që bëri për vete një botë të tërë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë kujtoi sot me nderim në ditën e lindjes, Nënë Terezën.
Nënë Tereza, me emrin e vërtetë Gonxhe Bojaxhiu, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane.
Ajo ishte misionare katolike e përkushtuar ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe nevojtarëve, anëtare nderi e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që bëri për vete një botë të tërë, u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve kudo.
Në moshën 18-vjeçare, ajo u largua nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në mbi 133 shtete.
Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” në vitin 1962, Çmimin Templeton në vitin 1973, Çmimin “Nobel” për Paqe në vitin 1979, Çmimin “Bharat Ratna” në vitin 1980 dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 1985.
Më 19 tetor 2003, ajo u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Shenjtorja fliste rrjedhshëm pesë gjuhë, bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindisht.
Në kulmin e Rrethimit të Beirutit në 1982, Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital të linjës së përparme duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm midis ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë.
Në vitin 1991 ajo u kthye në Shqipëri për herë të parë, duke hapur një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Deri në vitin 1996, Tereza ka operuar 517 misione në mbi 100 vende.
Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, Shqipëri iu dha emri “Nënë Terezës”. Në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inaugurua edhe busti i saj.
Në nderim të figurës dhe veprës së saj humanitare, emri i Nënë Terezës është përjetësuar edhe përmes dekoratave shtetërore.
Dekorata “Nënë Tereza” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit. Dekorata prej ari i jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë. Ndërsa medalja humanitare “Nëna Terezë” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në fushën e humanizmit. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë dekoratë bëhet nga presidenti i Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.