Netanyahu: Fola me Trump-in për rëndësinë e eliminimit të regjimit të Iranit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se ka biseduar me presidentin amerikan Donald Trump për rëndësinë e eliminimit të regjimit të Iranit, siç njofton Al Jazeera, duke cituar deklaratën e zyrës së tij, të përcjellë edhe nga agjencia Reuters.
“Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund eliminimin e regjimit iranian”, tha Netanyahu në deklaratën e publikuar nga zyra e tij. “E kam diskutuar këtë me Trump-in shumë herë, përfshirë edhe dje”, shtoi ai, duke iu referuar bisedës së të hënës me presidentin amerikan.
Deklarata vjen në një moment kur bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës tetëmujore kanë ngecur. Zyrtarë të lartë iranianë kanë thënë se Teherani po i zgjat qëllimisht bisedimet, i bindur se Trump-i mund t’u rikthehet sulmeve dhe se udhëheqja klerikale është e vendosur të mos i japë presidentit amerikan një fitore politike përpara zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit.
Lufta, e nisur në shkurt nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ka mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit për një pjesë të madhe të trafikut detar dhe ka mbajtur çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi. Deri më tani asnjëra palë nuk ka sinjalizuar një marrëveshje të shpejtë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.