Neutralizohet zjarri që përfshiu magazinën në autostradën Tiranë-Durrës. Asfiksohen 3 persona
Një magazinë në autostradën Tiranë – Durrës u përfshi nga flakët mëngjesin e të hënës, për shkaqe ende të panjohura.
Sipas informacioneve të fundit, tre persona janë asfiksuar nga tymi i flakëve dhe aktualisht po marrin ndihmën mjekësore, ndërkohë që objekti rrezikon shembjen.
Pas njoftimit për ngjarjen e ndodhur, 6 zjarrfikëse shkuan në zonë për të vënë nën kontroll situatën. Po ashtu, atje ndodhen edhe forca policie dhe autoambulanca. Brenda magazinës ishin depozituar tapetë të një firme turke, biznes që kishte prej kohësh veprimtarinë kryesisht në Tiranë.
Zjarri është intensifikuar edhe për shkak të lëndëve djegëse që ndodheshin brenda ndërtesës. Kjo është hera e dytë që në magazinën e tapeteve bie zjarr. Më parë, ka ndodhur në vitin 2005.
Mendohet se zjarri në magazinën e tapeteve është i qëllimshëm.